Dy partitë e mëdha debatuan, gjatë seancës së djeshme parlamentare, për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Deputeti socialist Marko Bello u shpreh se raporti i DASH-it vërteton akuzat e PS-së ndaj qeverisë. Sipas tij, nëpërmjet këtij raporti, DASH konfirmon se qeveria ka rritur presionin ndaj pushtetit gjyqësor nëpërmjet miratimit të ligjit të lustracionit, qëllimi i të cilit, sipas Bellos, është sulmi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Dje, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë publik raportin për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2008. Në këtë raport është komentuar edhe ligji i shumëpërfolur i dosjeve, i cili konsiderohet si i formuluar me terma të mjegullta. Ndërkohë, DASH ka bërë të ditur se ligji i lustracionit prek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe si rezultat shkakton konflikt mes qeverisë dhe sistemit gjyqësor. Raporti thekson edhe faktin se ky ligj i jep liri veprimi qeverisë në lidhje me shkarkimet e zyrtarëve. Ndër të tjera theksohet edhe ndërhyrja e qeverisë në Prokurori dhe në sistemin gjyqësor, duke ndikuar në pavarësinë e tyre”, - është shprehur Bello. Duke iu referuar këtij raporti, Bello shtoi se qeveria ka penguar hetimin e tragjedisë së Gërdecit. “Raporti flet edhe për hetimet mbi tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, duke i cilësuar si jotransparente për shkak të ndërhyrjeve nga ana e qeverisë. Sipas këtij raporti, mediat në Shqipëri përdoren politikisht, ndërsa gazetarët janë të vetëcensuruar”, - është shprehur Bello. Ai gjithashtu përmendi si problematike çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, për të cilët qeveria në këto katër vjet, sipas Bellos, nuk ka bërë asgjë. Nga ana tjetër, deputetët e PD-së u mbrojtën ndaj akuzave të opozitës. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, duke komentuar raportin e DASH-it, evidentoi arritjet e qeverisë. “Siç vë në dukje dhe DASH-i, duke cituar TI-në, Shqipëria nuk i arriti këto rezultate për shkak të reformave në letër, por për shkak të luftës kundër korrupsionit, hetimit dhe ndëshkimit të një numri zyrtarësh të lartë, gjë që ka qenë e paimagjinueshme gjatë qeverisjes socialiste”, - është shprehur Bumçi.



27 Shkurt 2009