Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste fajëson qeverinë për përkeqësimin e situatës së rendit publik në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Kryetari i Komisionit për Sigurinë dhe Administratën në Asamblenë e Partisë Socialiste, Ylli Manjani tha dje se në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit është përkeqësuar situata e rendit publik, ku krimi i rrugës dhe vetëgjyqësia janë sot fenomene tepër shqetësuese. Manjani shtoi më tej se “dy ditë më parë u përplasën me armë zjarri dy familje fqinje në mes të rrugës duke rrezikuar jetën e njerëzve të pafajshëm udhëtarë të rastit në Shkozet të Durrësit. Në fillim të kësaj jave, një sasi eksplozivi shpërtheu në një pallat të Tiranës, duke rrezikuar jetën e dhjetëra banorëve të pafajshëm”. Sipas tij këto ngjarje, janë dëshmitë më të fundit, të faktit se rendi publik në vend nuk është më i garantueshëm nga kjo qeveri, duke krijuar terren të favorshëm që krimi të veprojë hapur dhe pa asnjë lloj frike ndaj ligjit.

Ky lajm është publikuar: 24/04/2009