Mirela Kumbaro 

Parmbrëmë ndoqa në media një fragment nga fjalimi juaj Zoti President. Në prani të grave. Folët për gratë, mirë bëtë. Përmendët dhe episodin dramatik të zonjave të verbra, që u dhunuan bash para derës së kryeministrit dhe para syve tanë. Mirë bëtë. Por dëgjova se kritikën tuaj e adresuat te “gratë e tjera që nuk u prononcuan” për këtë ngjarje të rëndë. Keq bëtë zoti President! Unë jam një grua Zoti President, që nuk e kam mbajtur gojën sa herë që ulërima më ka ardhur në fyt, sa herë është vrarë një grua, është therur një vajzë, apo është masakruar një nënë, por edhe kur politika i ka përdorur gratë si flamuj elektoralë dhe pastaj i ka futur në rresht. Janë me dhjetëra gratë që jo vetëm janë shprehur por e kanë shqyer fytin duke i thënë, denoncuar e përplasur këto fakte në muret e gazetave. Befas, Ju, shpreheni për një ngjarje ku viktimat janë sërish gra dhe kritikoni gratë e tjera!
Nuk di a të qaj a të qesh… Kur pashë në të gjitha edicionet e lajmeve skenën e tmerrshme ku burri me pamjen e truprojës, puthi truprojën e kryeministrit, pasi çau dhunshëm me trupin e vet brezin e verbër të braktisur nga truprojat, ngashërimi ishte i vetmi prononcim që më erdhi Zoti President!
Desha të ulërija, por zëri s’më dilte, si në ato makthet që të zënë natën e s’nxjerr dot asnjë klithmë ndërsa ndodhesh në situatë tmerri. Them se shumë gra e burra e kaluan këtë makth atë natë, tek shihnin ato skena në televizion. Ju thatë “asnjë grua s’u prononcua” Zoti President! Po prapë e keni gabim. Një grua doli disa orë  më pas dhe u prononcua, në emër të të zotit të shtëpisë që i ndodhi turpi në derë. Doli një zonjë dhe na tha se ai burri me pamjen e truprojës nuk është truprojë dhe se truproja duhet të ruajë VIP-at, se ligji ia ndalon të ndërhyjë për të mbrojtur qeniet e dobëta, ndonëse nuk i ndalon të puthë dhunuesit e tyre. Aty makthi mu kthye në realitet, Zoti President! Nëse do ta botoja ulërimën në gazetë kisha vetëm një qëllim: t’i tërheqja vëmendjen shtetit, kryeministrit, ministrit të brendshëm, truprojës, policit. Po zëdhënësja ma mbylli gojën duke më thënë se s’kishte asnjë gjasë që ulërima ime të dëgjohej. Dhe kur shpresa vdes, njeriu qan në heshtje Zoti President!
As Ju dhe askush nuk më bind dot se nëse ai episod nuk do të ishte përcjellë nga mediat, dikush do merrej me të. E megjithatë nuk është rasti më i dëshpëruar, sepse  gjeti, për fat të mire, mbështetje të opinionit publik dhe të  mediave. Por çfarë ndodh sot, tani që po shkruaj unë, nesër kur të më lexoni Ju, me dhjetëra gratë e tjera që nuk e kanë fatin të jenë viktima para kamerave, e ikin nga kjo botë pa lënë asnjë gjurmë në ndërgjegjen e shtetit dhe as në kujtesën e shoqërisë? Askush s’e di, as Ju s’e dini Zoti President!
Dhe tani, nuk di a mund të guxoj e të qesh paksa hidhur, Zoti President! A ju kujtohet ai skeçi i kohës së komunizmit ku fshatarit i vodhën lopën dhe gjithë fshati e shembi në qortime për mungesën e vëmendjes? – Po mirë ore, tha fshatari, po ai që e vodhi, s’pati faj fare?!