09/05/2005  Për efekt të rritjes së pagës minimale rritet dhe kontributi që duhet paguar


Rritet kontributi për fermerët, jo më 900 lekë por në bazë të pagës 4.500 lekë


Paga minimale nuk do të jetë më e vogël se 12.514 lekë pas 1 qershorit, duke u rritur me 10 për qind. Deri tani ajo ka qenë 11.376 lekë. Paga maksimale për një punonjës ministrie arrin në 62 570 lekë. Me pagë minimale llogariten rreth 6. 6 për qind e punonjësve buxhetorë dhe gati shumica e punonjësve në firmat private, janë të siguruar mbi pagën minimale.


Rritet kontributi për “të


vetëpunësuarit” në fshat


Ndërkohë, të vetëpunësuarit në bujqësi, ndër të cilët kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore llogariten rreth 270 mijë persona, do t'i paguajnë sigurimet shëndetësore në bazë të pagës 4.500 lekë dhe jo 900 lekë siç është bërë deri në këto momente. Pjesën tjetër të kontributeve, përveç 900 lekëshit, e derdhte vetë qeveria në buxhetin e ISKSH-së deri tani. Kjo shumë është 4 miliardë lekë. Kjo ishte një përpjekje që, të vetëpunësuarit, në bujqësi të sigurohen. Por, duket se nuk ka rezultuar e suksesshme. Vetëm kështu ata do të mund t'i përfitojnë shërbimet e skemës së sigurimeve shëndetësore. Në të kundërt, ata që banojnë në fshat dhe nuk do paguajnë sigurime shëndetësore 225 lekë në muaj do t'i paguajnë dhe shërbimet spitalore me zgjerimin e skemës.


Tolerohet veriu


Të vetëpunësuarit në bujqësi, do të derdhin për sigurimet shëndetësore 5 për qind të 4.500 lekëshit, ndërsa bujqit e rretheve Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë e Tropojë, do të paguajnë 135 lekë në muaj (ose 3 për qind e 4.500 lekëshit). Ky tolerim është bërë, pasi në këto zona ka shumë pak tokë të punueshme, megjithatë, ligjërisht dhe ata quhen të vetëpunësuar në bujqësi. Ky ndryshim synon unifikimin e gjithë sistemit të sigurimeve, por megjithatë, dhe pas këtij vendimi, kontributi i të vetëpunësuarve në bujqësi, është më i ulët se ai i të vetëpunësuarve në qytete.


Pagat


Kjo rritje prej 10 për qind, e parashikuar në projektvendimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pret miratimin e qeverisë dhe justifikohet me rritjen e pensioneve, që do të realizohet njëkohëshisht me rritjen e pagës minimale. Kjo, pasi me rritjen e pagës minimale, dhe pikërisht për këtë arsye, rritet paralelisht dhe masa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, derdhjet e të cilave do të mbulojnë kostot e reja të pensioneve. Kështu, paga minimale mujore nga 11 376 lekë, do të jetë 12 514 lekë dhe kontributi minimal mujor, nga 4 767 lekë, do të rritet në 5 243 lekë. Punëdhënësit do të jenë të detyruar të derdhin masë më të lartë kontributesh (10 për qind) për punëmarrësit e tyre, duke respektuar raportin që këto kontribute do të jenë sa 41.9 për qind e pagës, domethënë 5.243 lekë.


Do të ulet kontributi i sigurimeve


Ndërkohë që sasia e kontributit që do të derdhet në ISKSH rritet, përqindja që do të paguajnë punëdhënësi, pritet të ulet. Instituti i Sigurimeve Shoqërore po përgatit një projekt-vendim mbi uljen e masës së kontributit. “Po, kemi menduar të ulim kontributin. Kjo, për të ulur informalitetin, duke menduar se masa e kontributit është e lartë, duke u bërë dhe pengesë për të mos u siguruar shumë punonjës”, ka thënë Ilir Beqja, drejtor i ISKSH-së. Ai shpjegon se dhe në vitin 2002, është ulur 8.7 për qind masa e kontributit që derdhet në Institut e megjithatë, nuk pati ndonjë përmirësim, shtim të numrit të të siguruarve, për këtë arsye u ndërpre dy vite e megjithatë, do të nisë të aplikohet përsëri.


Pensionet do të rriten pas 1 qershorit


Pas 1 qershorit, do të rriten 8 për qind pensionet e qytetit dhe 15 për qind ato të fshatit, në total rreth 560 mijë persona do të firmosin pensione më të larta. Ndërkohë, sipas një projektligji tjetër, pritet që të bëhet indeksimi i pensioneve të të moshuarve sipas pagave të marra para vitit 1993. Pritej që kjo rritje të bëhej brenda javës së parë të majit, por dhe kjo u shty. Ndërkohë, projektvendimi do të miratohet në një nga mbledhjet e pritshme të qeverisë, po kurdo që të miratohet efekti i tij do të jetë nga 1 qershori. Propozimi i kushton rreth 2 miliardë lekë buxhetit të shtetit, për muajt e mbetur nga qershori deri në fund të vitit. Propozimi i ISSH-së përfshin një rritje 8 për qind për 10 kategori të pensionistëve, pensionet e pleqërisë dhe ato të parakohshme, të invaliditetit, pensionet familjare, për merita të veçanta, etj., të caktuara sipas ligjeve të sigurimeve shoqërore. Ndërsa rritja 15 për qind prek pensionet e caktuara me ligjin "Për anëtarët e kooperativave bujqësore" dhe pensionet e caktuara sipas nenit 96 të ligjit më të ri për sigurimet shoqërore.


Rritja e pensioneve shoqërohet me rritjen e pagave në sistemin buxhetor dhe atë privat.


Kush perfiton:


1) Mbi 7680 punonjës buxhetor, ose 7 për qind e punonjësve buxhetorë


2) Mbi 100 mijë të punësuar në sektorin privat


3) Rritet pagesa për 50 mijë të paaftë, 8 mijë të verbër, 600 paraplegjikë e tetraplegjike


Qershor 2004


11.736 lekë të reja


Paga më e ulët u rrit 10 për qind


Qershor 2003


10.060 lekë të reja


Paga më e ulët u rrit 7 për qind


Qershor 2002


7580 lekë të reja


Rritet me 40 për qind krahasuar me vitin 1997


Qershor të vitit 1997


4.400 lekë të reja