Nuk i ka mbushur ende 12 vjeç, por talenti e ka ngjitur në skenat më prestigjioze të artit botëror. Violina e tij është e zakonshme, e megjithatë, falë talentit të djaloshit shqiptar, tingujt e saj mbushin sallat e ngrenë në këmbë publikun. Duartrokitjet nuk pushojnë. Quhet Elvin Hoxha. Vjen nga një familje shkodrane, me tradita në muzikë. Babai i Elvinit, Hajredin Hoxha, është një muzikant (violonçelist) i njohur nga qyteti i Shkodrës, pjesë e një familjeje të njohur shkodrane me tradita të spikatura qytetare, e cila ka nxjerrë intelektualë dhe artistë. Nëna e tij, me origjinë nga Azerbajxhani, Narmina Ganieva, është pianiste e njohur, po ashtu edhe gjyshi Server Ganiyev, është violinist. Në muajin shtator, violinisti i vogël shqiptar ka marrë pjesë në një konkurs ndërkombëtar në Poloni, synimi i së cilit është zbulimi i talenteve të së nesërmes. Në konkursin që u zhvillua nga data 16 deri në 24 shtator në qytetin e Lublinit, morën pjesë 120 muzikantë nga 28 vende të botës, përfshirë edhe Japoninë. Në aktivitetin e rëndësishëm muzikor, i cili u zhvillua për të 11-in vit radhazi, dhe që mban emrin e Karok Lipinskit dhe Henri Vienijavskit, përveç demonstrimit të virtuozitetit të talenteve të rinj botërorë, është zhvilluar edhe një panair i vërtetë instrumentesh muzikore të rralla (violina), që janë pjesë e koleksioneve shumë miliarda dollarëshe.



Në këtë konkurs ndërkombëtar, 12-vjeçari shqiptar Elvin Hoxha ka fituar çmimin e dytë, duke u vlerësuar lart nga juria dhe publiku. "Paganini" i ri jeton në Ankara, por është vepër e një familje artistësh. Konkursi i zhvilluar në Poloni ishte ndarë me dy raunde dhe u vlerësua nga një juri prej 17 profesorësh dhe violinistë virtuozë nga e tërë bota. Kategoria e parë ishte ajo që përfshinte artistët e moshës 11-17 vjeç, ndërsa e dyta 17-25 vjeç. Në raundin e parë u skualifikuan 51 pjesëmarrës nga 68 të kategorisë së parë, ndërsa në raundin e dytë për në finale mbeten vetëm 8 violinistë, ndër të cilët edhe 12-vjeçari Elvin Hoxha. Në këtë konkurs, përveç virtuozitetit, një rol të veçantë kanë luajtur edhe koleksionet e violinave që u përkisnin antikuarëve të rralla. Ky është një fakt mjaft i rëndësishëm për t‘u nënvizuar, pasi vendin e parë e zuri një vajzë japoneze, e cila luante me një "Stradivarius" me vlerë 5 milionë dollarë, ndërsa vendin e dytë shqiptari Elvin Hoxha, i cili luante me një violinë të zakonshme. Ky rezultat përbën në fakt një sukses të madh, pasi Elvini është i pari muzikant shqiptar që ka marrë pjesë në historinë 11-vjeçare të këtij konkursi prestigjioz ndërkombëtar. Por Elvini e ka njohur edhe më parë paraqitjen para një publiku të pjekur e me shije të hollë në muzikë. I tillë ka qenë edhe rasti i interpretimit të tij në ambasadën turke në Britaninë e Madhe. Atëherë ishte vetëm 9 vjeç. Violinisti shqiptar mahniti publikun britanik, ngjalli kureshtjen e shumë prej tyre.



Gati nuk e besonin se si një muzikant në moshën e tij mund të interpretonte pjesë të një niveli të lartë.



"Paganini" i vogël shqiptar, deri më tani numëron një mori konkursesh ndërkombëtare të fituara. Midis tyre ia vlen të përmendet ai i "Trashëgimisë së muzikës klasike", zhvilluar në mars 2005 në Moskë, në të cilin fitoi vendin e parë për moshën 6 deri në 10 vjeç. Aty, Elvini fitoi admirimin e jurisë për teknikën e interpretimit, cilësitë artistike që shpalosi në skenë. Menjëherë pas fitimit të çmimit iu ofrua një bursë shkollimi nga violinisti me famë ruse, Vladimir Spivakov. Në një konkurs ku gjurmohen talentet e reja në violinë në të gjithë Turqinë, quajtur njohur si CAKA, "Cihak Askin and His Little Friends" (Cihat Askin dhe miqtë e tij të vegjël), mbajtur në dhjetor 2005, Elvini u përzgjodh ndër më të mirët.



Nën kujdesin e CAKA-së, ai ka zhvilluar një sërë koncertesh në të gjithë Turqinë. Si rezultat i këtyre koncerteve, ai fitoi zemrat e publikut, duke bërë kështu ngjalljen e interesit në mediat turke. Interpretimi i tij është cilësuar si dominues dhe i përsosur në skenë, pavarësisht moshës së tij, nga violinisti Mintcho Mintchev. Kritikët turq të muzikës e kanë cilësuar si një fëmijë me një talent të rrallë. Ai ka dhënë një sërë koncertesh në vende të ndryshme të botës, si në Egjipt, Angli, Itali, Rusi, etj. Në vijim të këtyre koncerteve, ku gjithnjë ndiqet me mjaft kureshtje, në muajin maj të vitit 2008 Elvini interpretoi për UNESCO-n në Paris, në Parlamentin Europian në Strasburg, si dhe në Katedralen e Strasburgut. Elvini ka filluar të luajë në violinë që kur ishte tre vjeç. Tani ai vazhdon studimet në kujdesin e pedagogut Rasdim Bagirov, në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Bikent. Ndërkohë që jashtë orëve të mësimit ai për orë të tëra studion nën kujdesin e babait, Hajredin Hoxha, dhe gjyshit të tij, Server Ganiyev.