09/06/2005  Për herë të parë merr një ftesë të veçantë Këshilli i Lartë i Drejtësisë së vendit tonë për të marrë pjesë në Rrjetin Evropian të Këshillave për Gjyqësorin. Ky institucion u themelua në vitin 2004 dhe përbëhet nga institucionet kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët janë të pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ dhe që janë përgjegjës për mbëshetjen e sistemeve gjyqësore në dhënien e pavarur të drejtësisë. Në këtë takim, KLD-ja u përfaqësua nga zëvendëskryetari Ilir Panda. Këshilli i Lartë i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë u ftua nga Komiteti Drejtues i Rrjetit Evropian të Këshillave për Gjyqësorin, me një status të posaçëm, për të qenë i pranishëm, por edhe për të ndarë opinionet për probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me gjyqësorin. Në Asamble u raportua aktiviteti i rrjetit në lidhje me mbledhjen e informacionit dhe analizimin mbi strukturat dhe kompetencat e anëtarëve, shkëmbimi i përvojës në lidhje me mënyrën se si është i organizuar dhe funksionon sistemi gjyqësor i vendeve anëtare, çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. Për vendin tonë pjesëmarrja në këtë asamble është e rëndësishme për disa arsye. E para, njohja direkte dhe përfitimi nga parashtrimi i problematikës dhe i çështjeve që shqetësojnë gjyqësorin prej përfaqësuesve të Këshillave për Gjyqësorin të vendeve anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian. Së dyti, eksperienca për të ndarë opinionet dhe përfituar nga zhvillimet më pozitive të Këshillave për Gjyqësorin të vendeve anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian dhe sidomos të zhvillimeve që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit gjyqësor evropian si dhe vendosja e kontakteve direkte me këshillat apo organet homologe të vendeve anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian.


Alma Çuka