SportNë ditën e tretë të përgatitjeve për takimet e radhës me grupin kuqezi është bashkuar dhe Jahmir Hyka, me trajnerin Panucci që ka nisur përgatitjet me kontingjentin e plotë në dispozicion për Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Pas provave të para taktike të nisura që të martën, edhe seanca e paradites sot ka patur më së shumti karakter taktik, Panucci është një dishepull i disiplinës së hekurt jo vetëm jashtë fushe por edhe në planin taktik, me trajnerin që i duhet të kristalizojë në këto ditë të mbetura formacionin për anti-Lihtenshtejnin ose të paktën të zgjidhë balotazhet apo dyshimet që mund të ketë për role të caktuara në fushë.
Stërvitje, por edhe analizë e mbi të gjitha komunikim, për një trajner të ri është e rëndësisë maksimale që ti transmetojë sa më shpejt grupit idetë e tij dhe atë se çfarë kërkon prej gjithsecilit në fushën e lojës. Për këtë arsye gjithçka ka nisur me një diskutim me gjithë grupin e lojtarëve, ku trajneri italian pasi është analizuar seanca e djeshme ju ka evidentuar lojtarëve aspekt ku duhet të përmirësohen, ndërkohë që është shfaqur i kënaqur për sa i përket impenjimit të futbollistëve në seancat stërvitore. Një fjalim i shkurtër ku natyrisht kryefjala ka qenë sfida e radhës me Lihtenshtejnin, edhe pse një ekip në letër modest, trajneri ju ka kërkuar lojtarëve që këtë të shtunë të japin maksimumin këtë të shtunë përballë skuadrës së principatës. Kamerat prezente për 15 minuta dhe më pas, gjithçka për sa i përket skemave taktike larg syve të publikut, para një sfide që duhet fituar me çdo kusht, trajneri preferon të ruajë sekretet e tij për efektin surprizë.
30 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)