Papunësia në evrozonën në dhjetor të vitit 2009 arriti 10 për qind. Sipas të dhënave të agjencisë statistikore evropiane Eurostat në fund të vitit të kaluar, gjatë festave 87 mijë njerëz mbetën pa punë, ndërsa vetëm gjatë nëntorit janë dhënë 102 mijë pushime nga puna.

Goditje më të rënda nga recesioni pësuan Greqia dhe Spanja të cilat ende gjenden në krizë të thellë, por ekspertët parashikojnë se të gjitha 16 vendet e evrozonës duhet të brengosen nga rritja e papunësisë.



Sipas zyrës së statistikave europiane, Eurostat në Bruksel, në muajin dhjetor në 27 vendet anëtare të BE-së ishin rreth 23 milionë gra dhe burra pa punë. Kjo do të thotë 4,6 milionë më shumë se para një viti.