Ora e dorës kishte mbetur si dikur, prapa në kohë. E kishte blerë disa ditë para se të largohej nga shtëpia. Mungonte pulsi i dorës së Besnik Hajdinit për të dëgjuar tiktaket e saj, por që prej datës 31 maj 2008 ora nuk do të jetë më një kujtim. Nëna e Besnik Hajdinit ka folur pas 14 vitesh me djalin e saj të shtunën në Vizion Plus duke i dhënë fund ankthit së saj. Besniku largohet nga Shqipëria në datën 2 maj të vitit 1994 drejt Italisë. Pasi mbërrin shëndoshë e mirë në Brindizi ai kontakton me familjen e tij në Shqipëri vetëm pas dy muajsh. Por si ndodh realizimi i kontaktit mes tyre. Një zotëri i quajtur Petraq nga Durrësi i sjell një letër familjes ku ishte shkruar një numër telefoni i pronarit me të cilin jetonte Besniku. Menjëherë nëna i telefonon djalit dhe ky i fundit i thotë se punonte te pronari. ”Të lutem, mos merr shumë shpesh në telefon pasi do të të marr unë dhe kam ndërmend të qëndroj disa vite këtu”, - do t`i shprehej Besniku së ëmës. Pas dy ditësh Sosja e merr sërish në telefon, por zonja e kësaj shtëpie i përgjigjet se Niku ishte larguar në drejtim të paditur. Që prej këtij momenti ai nuk u bë më i gjallë për familjen. Ecejaket e familjes Hajdini nisin kalvarin e gjatë të denoncimeve në çdo institucion shtetëror, por pa marrë asnjëherë një përgjigje konkrete rreth djalit të saj. Së fundi ajo interesohet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Tiranë. Në bazë të verifikimeve rezultonte se Besnik Hajdini figuronte në listën e personave që ishin pajisur me pasaportë në vitin 2004. Interesimet nga “Njerëz të humbur” filluan me një kërkim konkret në këtë drejtori si dhe në Interpolin Shqiptar duke zbuluar detaje të reja të vendndodhjes së Besnikut. U zbulua se djali jetonte në Brindizi dhe se merrej me frutikulturë. Investigimi po zbardhte gjithnjë e më shumë vendbanimin e Besnikut dhe brenda disa ditëve “Njerëz të humbur” arrin ta lokalizojë atë në Brindizi. E shtuna e radhës do të sillte në Vizion Plus nënën e Besnikut me shpresën për t`i bërë thirrje edhe një herë djalit të saj. Por ajo nuk e imagjinonte se atë natë ajo do të fliste pas 14 vitesh me Nikun, djalin që ajo e kishte parë për herë të fundit në 1994-n. “Ma bëj hallall qumështin e gjirit, nënë, për gjithë këto vite që s`kam folur me ty”, - do të shprehej i përmalluar Besniku, duke emocionuar jo vetëm Sosen, por edhe vëllain e tij si dhe teleshikuesit që po ndiqnin “Njerëz të humbur” në ato momente. Besniku ishte fejuar me një shtetase italiane dhe shumë shpejt do të vinte në Shqipëri për t`iu bashkuar familjes. Ishte një lajm që nëna e mori pas 14 vitesh falë kërkimeve të “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.







3 Qershor 2008