Sipas ndryshimeve, importuesit dhe prodhuesit e produkteve të akcizës, të cilët kanë paguar detyrimin e akcizës nëpërmjet pullave të akcizës së prodhuar nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë para datës 9 mars 2012 dhe i kanë gjendje stok në magazinat e tyre, duhet që brenda datës 10 shtator 2012 të kishin deklaruar stokun në organin tatimor ku janë të regjistruar dhe lejohen ta shesin këtë produkt stok deri në datën 9 janar 2013.

Në rast se deri në datën 9 janar 2013, importuesit dhe prodhuesit e produkteve të akcizës, vlerësojnë se nuk mund ta shesin stokun e datës 10 shtator 2012, të deklaruar tek administrata tatimore, deri në datën 9 janar 2013, atëherë gjatë muajit dhjetor 2012 këto subjekte duhet të marrin masa që të pajisen me pullën fiskale të prodhuar nga Koncesionari për stokun e deklaruar tek administrata tatimore të datës 10 shtator 2012, sipas procedurës së porositjes së pullave fiskale të udhëzimit nr. 19, datë 1.9.2011.

Autoriteti kontraktues autorizon mbivendosjen e pullave të prodhuara nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë me pullat e reja të prodhuara nga Koncesionari vetëm përkundrejt pagesës së kostos së printimit të pullës së re. Kërkesës për pulla fiskale të prodhuara nga Koncesionari, subjektet duhet t’i bashkëlidhin detyrimisht kopje të stokut të inventarit të datës 10 shtator 2012, dorëzuar tek administrata tatimore, si dhe kopje të dokumentacionit të porositjes dhe pagesës së akcizës dhe kostove të pullave të akcizës së prodhuar nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

Përjashtimisht, në rastin e prodhuesve të produktit birrë, të cilët kanë prodhuar birrë para datës 9 mars 2012 dhe kanë deklaruar gjendje stok tek administrata tatimore në datën 10 shtator 2012, pajisjen me pullë fiskale të prodhuar nga Koncesionari, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin nr. 19, datë 1.9.2011, kundrejt pagesës së akcizës dhe kostove të printimit të pullave fiskale. Kërkesës për pulla fiskale të prodhuara nga Koncesionari, duhet t’i bashkëlidhet detyrimisht dokumentacioni që provon prodhimin e produktit para datës 9 mars 2012. /Start/


                                                                                             2012-09-25 15:01