Katër nga 11 ansamblet pjesëmarrëse në “Fest Argjiro 2009” prezantuan dje në mbrëmje, në natën e dytë të këtij aktiviteti që po zhvillohet në kalanë e Gjirokastrës, gjallërinë dhe pasurinë e folkut Ballkanik. I pari që u ngjit në skenë në natën e dytë të këtij festivali ishte ansambli “Shote Galica” nga Drenasi i Kosovës. “Kemi zgjedhur këngë e valle tradicionale te zonës për të prezantuar zonën tonë në këtë edicion”, tha për ATSH-në udhëheqësi artistik i këtij ansambli, Shaqir Hasi. Në 15 minutat e programuara për ansamblin "Shote Galica" u prezantuan tre këngë të shoqëruara me çifteli dhe fyell, si dhe vallja plot elegancë dhe finesë e vajzave të këtij grupi. Pasuria e folklorit grek dhe kroat u përcoll përkatësisht nga ansambli “Sulit” dhe “Vela-Luka”. Është hera e dytë që grupi grek "Sulit" vjen në Gjirokastër. “Për herë të parë kemi qenë në vitin 1984, ndërsa shoqëronim këngëtaren greke Mariza Koh, në turneun që ajo ndërmori në atë periudhë në Shqipëri”, tregon koreografi i grupit grek, Panajotis Zogas. Ansambli “Vela –Luka” nga Kroacia interpretoi tre numra, në të cilat përfshiheshin valle dhe këngë karakteristike kroate, duke prezantuar folkun e pasur të kësaj pjese të Ballkanit. Me entusiazëm u pritën dhe këngëtarët popullorë të grupit “Zëri i bilbilit” nga Saranda, të cilët sollën këngët lirike të kësaj zone edhe elementë karakteristikë të folkut. “Për mua është diçka emocionuese sa herë që këndoj këto këngë, pasi kanë një motiv të veçantë dhe origjinal”, tha Behije Dida një prej këngëtareve të grupit. “Fest Argjiro 2009” përfundon sot në mbrëmje, me një spektakël ku pritet të ndahen dhe çmimet për grupet më të mira. Ky aktivitet që këtë vit shënon edicionin e dytë është një nismë e bashkisë së Gjirokastrës. Në festival marrin pjesë 11 grupe folklorike nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Kroacia e Bullgaria dhe rreth 300 artistë.









15 Maj 2009