Burime të gazetës Express kanë bërë të ditur sot se disa nga shtetet e Komunitetit të Karaibeve (CARICOM), që përbëhet nga 15 shtete anëtare, do të njohin Kosovën gjatë javës që vjen.

“Priten rreth 10 njohje. Nga shtete të Karaibeve por edhe nga Azia”, ka thënë një burim për gazetën duke shtuar se njohje priten dhe nga Indonezia dhe Pakistani, një zyrtar i lartë i të cilit ka bërë publike se vendi i tij do të marrë një vendim ndoshta gjatë javës që vjen.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka deklaruar se pas opinionit të GJND-së, Kosova do të njihet nga 35 shtete. Serbia ndërkohë ka dërguar 55 emisarë në vende të ndryshme të botës për të lobuar kundër njohjes. Që prej shpalljes së opinionit të GJND-së, Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet.