Nga Eustrat Zhupa


 


Skandalet më të fundit në arsimin e lartë nuk na japin asnjë informacion më tepër se ato që kishim. Nga ana tjetër, internacionalizimi i çështjes provon edhe njëherë paturpësinë e atyre që drejtojnë arsimin shqiptar. Në veçanti, zoti Tafaj nuk na zhgënjen dhe arrin për të disatën herë të bëhet qesharak, kësaj radhe edhe në sy të botës, duke deklaruar se ministria ka ngritur një grup ekspertësh për të verifikuar rastin. Në këtë çështje nuk ka asgjë për të verifikuar ose për të hetuar. Çdo gjë është e qartë si drita e diellit dhe ky zotëri po mundohet të mbulojë diellin me shoshë dhe të vazhdojë të genjejë siç ka bërë deri tani. Të mos harrojmë se ata që firmosin ato diploma janë ata që komisioni i ministrit ose i protezave të tij qeveritare u kanë dhënë titullin me procedura të turpshme dhe të jashtëligjshme. Janë ata “profesorë” që sot nuk turpërojnë veten, sepse u është bërë faqja shollë, por po damkosin një komb të tërë. Pasojat e këtyre diskreditimeve janë të pallogaritshme dhe studentët shqiptarë do i vuajnë për shumë vite të tjera.


Natyrisht këto janë edhe rastet tipike që përdoren politikisht ose për konjuktura të momentit. Në veçanti, këto ditë janë bërë kërkesa për dorëheqje të zotit Tafaj, kur në fakt ky zotëri ka hequr dorë prej kohësh nga ushtrimi i funksionit të tij. Tanimë nuk mjaftojnë doreheqjet sa për sy e faqe dhe është e domosdoshme që njerëzit të kërkojnë më shumë llogari nga ata që qeverisin. Dorëheqja formale e zotit Tafaj nuk i hyn në punë asnjërit prej nesh. Në fakt ky akt do ishte një shpëtim për të, por edhe një konfirmim i kulturës së pandëshkueshmërisë. Pas tij do vijë një tjetër që do bëjë të njëjtat gjëra, në mos më keq. Po kostot e kësaj papërgjegjshmërie kush i paguan?


Kjo mungesë llogaridhënie duhet të përfundojë. Zoti Tafaj duhet të deklarohet në dispozicion të organit të prokurorisë dhe të jape llogari për shkatërrimin e arsimit shqiptar, për skandalet që dalin dita ditës si kërpudhat pas shiut, të mbajë përgjegjësinë që i takon në pazaret e titujve, të përgjigjet para ligjit për ndodhitë skandaloze në Universitetin e Vlorës dhe më pas në atë të Durrësit, të përgjigjet për pushimet nga puna të mësuesve dhe për të gjitha ligësitë në kurriz të rinisë shqiptare. Të shpjegojë ky zotëri para organit të prokurorisë se cilat janë lidhjet e tij ose të bashkëpunëtorëve të tij me shitblerjen e diplomave dhe jam i bindur se do zbulohen fakte interesante.


Megjithë llumin që na sjell para syve, ky është një moment historik për arsimin shqiptar. Zoti Tafaj ka shansin të japë shembullin personal duke mbajtur i pari mbi kurriz kryqin e mëkateve të kësaj politike. Jam i sigurt se nuk do i rëndojë shumë nëse ai do arrijë të kuptojë se “pasioni” i tij mund të jetë fillimi i kthesës së madhe në të mirë të kësaj Shqipërie, që atë kryq po e mban çdo ditë në kurriz. Nëse ai dhe ata që i shkojnë nga pas nuk do mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet, por edhe për mosveprimet e tyre, atëherë çdo gjë tjetër është e kotë dhe do ngelet në kuadrin e diskutimeve në kafene. Në fund të fundit “çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë” dhe politikanët tanë e kanë mësuar mirë këtë shprehje.