Funksionari më i lartë mes nëpunësve që nuk kanë bërë transparencën e burimit të të ardhurave, është kryetari i Komunës së Dajçit në Qarkun e Lezhës, Rrok Rroku 

TIRANE-Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzon penalisht gjashtë zyrtarë, me akuzën e “refuzimit për deklarim”. Funksionari më i lartë mes nëpunësve që nuk kanë bërë transparencën e burimit të të ardhurave, është kryetari i Komunës së Dajçit në Qarkun e Lezhës, Rrok Rroku. Ndërkohë, katër zyrtarë të tjerë janë punonjës të sektorit të tatimeve në Kukës, Shkodër e Korçë. I gjashti në listën e të paditurve në prokurori është ish-shefi i Komisariatit të Kuçovës, Agim Harrizi. Vendimi i ILDKP-së për kallëzimin penal të tyre erdhi në përfundim të procesit të deklarimit të interesave periodike/vjetore, afati i të cilit ishte 31 marsi i vitit 2009. Në mbyllje të këtij afati rezultoi se 27 subjekte nuk e përmbushën në kohë detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private. Ndaj tyre, ILDKP, më datë 7 maj vendosi masën administrative “gjobë”, sipas përcaktimeve të parashikuara në ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Por nga rakordimet e kryera deri më datën 18 qershor, rezultoi se nga subjektet e gjobitura nuk e kishin dorëzuar ende deklaratën e interesave private zyrtarët e mësipërm.

(d.b/BalkanWeb)