PATOS / MAJLINDA RAMA

Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Patos shënoi dje përplasjen e dytë ndërmjet anëtarëve të tij dhe punonjësve të gjelbërimit. Këta të fundit ankohen se prej 6 muajsh nuk kanë marrë pagat. Për këtë shkak, ata vendosën të futen në sallë në momentin e mbledhjes dhe t’u kërkojnë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të miratojnë buxhetin. Por situata u përkeqësua kur salla e mbledhjes së Këshillit Bashkiak u kthye sërish në një shesh proteste dhe përplasje mes këshilltarëve dhe punonjësve të ndërmarrjes së gjelbërimit të qytetit. Punonjësit vijuan me të njëjtën kërkesë të bërë edhe pak ditë më parë, në kërkim të pagave të pamarra. Ata e konsideruan si papërgjegjshmëri faktin e pezullimit të mbledhjeve të këshillit. “Pezullojnë mbledhjen se duan të heqin kryetarin e këshillit. Ne nuk kemi nevojë për emra, as për politikë, ne duam të ushqehemi, pasi kemi 6 muaj pa marrë asnjë lekë. Këtyre nuk u ardhka turp që na sjellin vërdallë për hiçgjë, sepse vuajnë për karrige. Ne kërkojmë një të drejtë pasi kemi punuar dhe nuk jemi shpërblyer për punën tonë”, u shprehën njëzëri punonjësit, të cilët dje ishin mjaft të irrituar nga situata e krijuar. Burime brenda Këshillit Bashkiak të këtij qyteti bënë të ditur se edhe në këtë mbledhje ishte parashikuar të diskutohej për mocionin e mosbesimit kundër kreut të Këshillit Bashkiak. Këtë mocion mosbesimi e kanë kërkuar këshilltarët e djathtë një seancë më parë, por mbledhja u pezullua pikërisht për shkak të ndërhyrjes së 80 punonjësve të gjelbërimit. Edhe dje ata u futën në ambientet e mbledhjes duke kërkuar një zgjidhje urgjente të problemit të tyre. Duke parë situatën e krijuar në ambientet e mbledhjes, këshilltarët thirrën forcat e rendit për të larguar protestuesit dhe për të vijuar me pikat e rendit të ditës. Uniformat blu ndërhynë për të larguar punonjësit nga salla, por më pas situata u ndërlikua kur ndërhyri edhe Policia Bashkiake. Kjo e fundit kërkoi largimin e forcave të rendit nga salla e Këshillit Bashkiak, për shkak të rrëmujës dhe mbipopullimit në ambientet e mbledhjes. Pas këtyre përplasjeve, mbledhja u ndërpre sërish, duke mos u dhënë as njoftim këshilltarëve për një tjetër takim të mundshëm. Ndërkohë punonjësit e gjelbërimit vijuan protestën e tyre në ambientet e jashtme të bashkisë. Të premten e kaluar, ishte parashikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak në Patos, por ajo u pezullua pasi punonjësit e gjelbërimit nisën përplasjen verbale dhe fizike me këshilltarët, pikërisht për shkak të mosmarrjes së rrogave prej 6 muajsh. Edhe dje u përsërit e njëjta situatë, duke pezulluar sërish mbledhjen e këtij këshilli.