Në vitet 2000, në botë ka pasur një tendencë për rritjen e pavarësisë së bankave qendrore, si një mënyrë për të përmirësuar... rezultatet ekonomike afatgjata. Por ndërkohë që është prodhuar një vëllim i madh pune në kërkimin shkencor, për të përcaktuar marrëdhënien mes pavarësisë së bankave qendrore dhe arritjet në ekonomitë kombëtare, rezultatet kanë qenë të paqarta.
Në shumicën e studimeve, treguesi empirik bazë që rezulton nga literatura është se pavarësia e bankës qendrore dhe niveli i inflacionit janë në lidhje të zhdrejtë, d.m.th., sa më e pavarur banka qendrore, aq më i ulët inflacioni. Por rezultati më i rëndësishëm i punës kërkimore është që pavarësia e bankës qendrore nuk ka pasoja kontradiktore ekonomike. Grilli, Masciandano dhe Tabellini (1991) kanë demonstruar se rezultatet e përmirësuara të inflacionit që shoqërojnë pavarësinë e lartë të bankës qendrore nuk sjellin ndonjë humbje në rritjen ekonomike të vendit.
Mbrojtësit e pavarësisë së bankave qendrore argumentojnë se banka qendrore që ndikohet shumë nga urdhrat apo presionet e politikës ka mundësi shumë që të inkurajojë ciklet ekonomike të politikës (“fryrje dhe shfryrje”), ashtu siç politika dëshiron të fryjë veprimtarinë ekonomike para zgjedhjeve, duke përkeqësuar gjendjen afatgjatë të ekonomisë së vendit. Në këtë situatë, pavarësia përkufizohet si një pavarësi operacionale dhe administrimit të bankës qendrore nga qeveria.
Literatura për pavarësinë e bankës qendrore ka përcaktuar disa aspekte të pavarësisë.
• Pavarësia ligjore
Pavarësia e bankës qendrore është e parashikuar në ligj. Pothuaj në të gjitha vendet e zhvilluara banka qendrore është e përgjegjshme dhe jep llogari përpara institucioneve qeveritare apo drejtpërdrejt tek ligjvënësi. Përcaktimi i shkallës së pavarësisë ligjore është provuar se është i vështirë, sepse në shumicën e rasteve legjislacioni parashikon vetëm marrëdhëniet e punës mes qeverive, ligjvënësve e bankës qendrore, dhe jo përgjegjësitë publike të administrimit të bankës qendrore.
Edhe në rastin e vendit tonë, nxjerrja e përgjegjësisë ligjore është e vështirë të përcaktohet duke u bazuar në Ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”. Nëse Këshilli Mbikëqyrës nuk pranon se ka përgjegjësi, atëherë, për të nxjerrë përgjegjësinë individuale dhe atë kolegjiale të organeve drejtuese është e pamundur.
• Pavarësia e objektivave
Banka qendrore ka të drejtë të përcaktojë objektivat e politikës së vet, qoftë për shënjestrimin e inflacionit, qoftë për kontrollin mbi ofertën e parasë, qoftë për kontrollin e kurseve të këmbimit të monedhës vendase. Në fakt, ky aspekt i pavarësisë është më i përhapur; shumica e bankave qendrore preferojnë të publikojnë objektivat e politikës së tyre së bashku dhe në partneritet me qeverinë.
Në rastin e vendit tonë, Banka e Shqipërisë përcakton objektivat e politikës monetare dhe, shpesh këtë e bën në bashkëpunim me qeverinë, por kur ka shpallur arritjet e objektivave, ka zbukuruar ose ka theksuar anët që ka dashur qeveria, duke u bërë zëdhënëse e arritjeve të qeverisë, gjë që ka dëmtuar imazhin dhe pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.
• Pavarësia operacionale
Banka qendrore ka pavarësinë të përcaktojë mënyrën më të mirë për të arritur objektivat e politikës së saj, përfshirë edhe llojet e instrumenteve që përdor dhe kohën e përdorimit të tyre. Ky është aspekti më tipik i pavarësisë së bankës qendrore.
Në Ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, në nenin 1.3 parashikohet: “Banka e Shqipërisë, brenda kompetencave të përcaktuara në këtë Ligj, është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj... (stabiliteti i çmimeve)”
• Pavarësia administrative
Banka qendrore ka autoritetin që të kryejë veprimtarinë e vet (emërimi i personelit, hartimi i buxhetit dhe kryerja e shpenzimeve etj.) pa përfshirjen e qeverisë në vendimmarrje. Të gjitha format dhe aspektet e tjera të pavarësisë nuk janë të zbatueshme në qoftë se banka qendrore nuk ka pavarësi administrative. Në qoftë se qeveria ka synimin të emërojë dhe zëvendësojë shpesh guvernatorin, ajo ka mundësinë që të drejtojë bankën qendrore përmes përzgjedhjes së guvernatorëve.
Kur shqyrtohet rasti i Bankës së Shqipërisë, konstatohet se përzgjedhja dhe emërimi i Guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës është bërë nga radhët e politikanëve ose beniaminëve të kryetarëve të partive.
Nga ana tjetër, Guvernatori dhe organet e tjera, ia kanë kthyer nderin duke marrë në punë dhe duke ngritur në përgjegjësi njerëz të afërm të politikanëve. Në vitet e fundit, qeverisja e Bankës së Shqipërisë dhe administrimi i saj janë përkeqësuar, nga humbja shkallë–shkallë e pavarësisë administrative të saj.
Argumentohet që banka qendrore e pavarur mund ta kryejë veprimtarinë e saj më mirë duke zhvilluar një politikë monetare më të besueshme, plotësimin më të mirë të pritshmërive të tregut financiar, si dhe të bëjë një administrim më efektiv të aktiveve të saj.
Qeveritë në përgjithësi kanë një shkallë të kufizuar influence ndaj bankave qendrore “të pavarura”. Qëllimi i pavarësisë është kryesisht shmangia ose parandalimi i ndërhyrjeve afatshkurtër. Për shembull, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Rezervës Federale Amerikane emërohen nga Presidenti i SHBA-ve dhe konfirmohen nga Senati i SHBA.-ve. Por Guvernatori dhe anëtarët e tjerë të Këshillit janë të detyruar që shpesh të dëshmojnë para Kongresit dhe Senatit (pothuaj çdo muaj).
Organizatat Ndërkombëtare të tilla si Banka Botërore, Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare (BIS) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë mbështetësit kryesorë të pavarësisë së bankave qendrore.
Por mbështetja e fuqishme që i bëhet pavarësisë shoqërohet me kërkesa gjithnjë e në rritje të transparencës dhe përgjegjshmërisë, në të gjithë procesin e vendimmarrjes dhe administrimit.
FMN-ja përmes Financial Services Action Plan (FSAP) rishikon vetëvlerësimin që bëjnë bankat qendrore. Një bankë qendrore e pavarur duhet të marrë vlerësim më të lartë në transparencën e raportimit dhe ruajtjen e aktiveve, se sa një bankë që nuk është e pavarur.
Vlerësimi i sigurisë së bankës qendrore është një shqyrtim diagnostik për kuadrin e qeverisjes dhe kontrollin e saj. Pesë aspekte kyçe, që quhen me akronimin ELRIC (External audit mechanism, Legal structure and autonomy, Financial Reporting, Internal audit mechanism, and Systems of Internal Controls) duhet të vlerësohen për të siguruar disbursimet e FMN-së dhe për të minimizuar rrezikun e raportimit të parregullt të shifrave për aq kohë sa vendi ka kredi të marra nga FMN-ja por që nuk janë shlyer akoma. Në këtë metodë vlerësimi, i vihet theksi efektivitetit të qeverisjes së bankës qendrore në të gjitha aspektet e ELRIC.
Mekanizmi i auditimit të jashtëm: Botimi i pasqyrave financiare vjetore të bankës qendrore të cilat janë audituar nga auditues të pavarur në përputhje me standardet ndërkombëtare, janë kërkesat kyçe në politikat e sigurisë. Vlerësimet trajtojnë proceset e përzgjedhjes dhe rotacionit të audituesve të jashtëm, përputhshmërinë e tyre me standardet ndërkombëtare dhe, nëse anomalitë e identifikuara raportohen dhe publikohen në kohën e duhur.
Edhe legjislacioni shqiptar parashikon ndëshkime për audituesit e pavarur në rastin e moszbatimit të standardeve. Në Kodin e Procedurës Penale për dhjetë figura krimi në ekonomi, në pesë raste dënohet edhe audituesi ose eksperti kontabël i regjistruar. Në rastin e ngjarjeve të fundit në Bankën e Shqipërisë po flitet shumë për angazhim të parregullt të audituesit të jashtëm dhe moszbatim të standardeve.
Por më e rëndësishmja është që duhen rishikuar dispozitat dhe praktikat e angazhimit të audituesve të jashtëm, ku çështje kyçe e pazgjidhur mbetet organizimi i Komitetit të Auditimit.
Struktura ligjore dhe pavarësia: Interferenca e qeverisë mund ta dëmtojë rëndë autonominë e bankës qendrore dhe të rrisë rreziqet në veprimtaritë e saj.
Në rastin e Bankës së Shqipërisë, konstatohet se ka mungesë të dispozitave ligjore që rregullojnë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë (aspekti i administrimit) e atyre që janë ngarkuar me qeverisjen, ndërsa nuk mungojnë dispozitat që sigurojnë pavarësinë e saj në aspektet e tjera të pavarësisë.
Raportimi financiar: Vlerësimet e sigurisë kanë për qëllim të shqyrtojnë nëse banka qendrore zbaton apo jo praktika ndërkombëtare të mira për raportimin financiar me transparencë dhe nëse raportimi e sistemi kontabël japin informacione në kohë dhe të besueshme.
Për Bankën e Shqipërisë më urgjente është njohja dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, si kuadër i vetëm i zbatueshëm.
Sistemi i auditimit të brendshëm: Funksioni i auditimit të brendshëm ndihmon bankën qendrore për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e administrimit të rrezikut, kontrollit dhe procesit të qeverisjes. FMN-ja shqyrton nëse funksioni i auditimit të brendshëm është efektiv apo jo, si dhe nëse ka personel të mjaftueshëm dhe pavarësi organizative për të përmbushur detyrat e tij. Vlerësimet gjithashtu mbulojnë edhe rishikimin e përputhjes së funksionit të auditimit të brendshëm me standardet ndërkombëtare. Kjo përmban edhe funksionet e inspektorit të përgjithshëm.
Sistemi i kontrolleve të brendshme: Politika dhe procedura solide permanente, përfshirë administrim efektiv të rrezikut janë të nevojshme për të ruajtur aktivet dhe për të siguruar saktësinë dhe plotësinë e regjistrimeve kontabël dhe informacioneve financiare. Vlerësimet shqyrtojnë cilësinë e mbikëqyrjes së audituesve të jashtëm dhe të brendshëm, si edhe të kontrolleve ndaj operacioneve të arkës, të bankingut, kontabilitetit dhe këmbimeve të valutave të huaja. Vëmendje e veçantë u kushtohet funksioneve të administrimit të rezervave dhe kontrolleve të të dhënave të raportuara.
Unë mendoj që është me rëndësi për të kuptuar se për çfarë ka nevojë Banka e Shqipërisë. Ndërsa pranohet se vjedhja e parave nga Banka ka evidentuar një krizë administrimi, po synohet të gjenden dhe të emërohen specialistë të huaj si drejtues të lartë të saj, që nuk kanë asnjë lidhje me funksionet e administrimit e raportimit.
Për mendimin tim, si dhe për aq sa parashtrohen në këtë artikull, Banka e Shqipërisë ka nevojë për administratorë të ndershëm, për struktura administrative ashtu siç kërkohen nga standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të administrimit. Unë mendoj se është më e domosdoshme krijimi i Komitetit të Auditimit, me strukturat përkatëse të auditimit të brendshëm, funksionet e kontrolleve permanente dhe kontrolleve periodike.

(o.d/GSH/BalkanWeb)