Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni e vuri theksin tek rëndësia që pati Lidhja e Prizrenit e cila sipas tij i dha kuptim pavarësisë së Shqipërisë dhe forcoi kombin shqiptar, ndërsa pavarësia e Kosovës, do të shtonte ai, korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve. Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ridimensionoi idealet e epokës së Skënderbeut, rrumbullakosi pjesërisht idealet e shqiptarëve në fillim të shekullit 20, me krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në rrafshin e brendshëm është produkt i Lëvizjes kulturore, Rilindjes Kombëtare, së cilës, edhe pas rënies, i dha dimensione kombëtare dhe civilizuese. Rilindësit shqiptarë ishin personalitete që me idealizëm të rrallë, në kushtet kur në tokat shqiptare nuk kishte asnjë institucion kulturor dhe arsimor, vunë themelet e Ndërgjegjes Kombëtare, duke tejkaluar ndarjet krahinore dhe fetare. Rilindja Kombëtare krijoi vetëdijen për identitetin e kombëtar shqiptar, të bazuar mbi vlerat e përbashkëta të gjuhës, kulturës, traditave dhe të njësisë territoriale. Për këtë kontribut iluminist dhe intelektual, si gjithmonë, edhe sot i jemi mirënjohës asaj plejade mendje ndritur që punoi me aq përkushtim patriotik: Naim e Sami Frashërit, Jeronim De Radës, Gjergj Fishtës, Faik Konicës dhe shumë e shumë penave tjerë, që kultivuan letërsinë, hartuan traktatet politike, zhvilluan gjuhën shqipe, përqafuan alfabetin latin, themeluan klube e revista kulturore me frymën e vlerave perëndimore dhe të qytetërimit evropian. Pavarësia e Kosovës në shekullin njëzet e një, e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit 20-të. Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pavarësisë së Shqipërisë deh ka forcuar të gjithë shqiptaret”, u shpreh Thaçi. Ai kujtoi periudhat dramatike të Kosovës me mbetjen jashtë trojeve shqiptare, por që ia doli të ruajë identitetin kombëtar. “Në fillimin e shekullit njëzet Kosova bëhet qendra kryesore e kryengritjeve të njëpasnjëshme, që çuan në krijimin e pavarësisë së Shqipërisë. Në krye të këtyre zhvillimeve ishte patrioti, burrështetasi, diplomati intelektuali dhe personaliteti i shquar, Hasan Prishtina. Hasan Prishtina ishte ideatori, ideologu dhe koordinatori i kryengritjeve që u zhvilluan anembanë Kosovës, që nga Kaçaniku, Carraleva, Peja, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Drenica, Hoti, Shkodra, Dibra dhe Shkupi. Ai koordinoi kryengritjet e drejtuara nga Bajram Curri, Isa Boletini, Riza Beu Nexhip Draga dhe shumë patriotë të tjerë. Hasan Prishtina ishte ideatori i programit të kryengritjeve, në të cilat dilte qartë vendosmëria e shqiptarëve për të qenë zot të tokave të tyre, që u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Zhvillimet dramatike që kaluan shqiptarët gjatë Luftës së Parë Ballkanike, ndodhi paradoksi historik: territori shqiptar që më së shumti kishte kontribuar për bërjen e Shqipërisë, Kosova, por edhe viset tjera shqiptare, mbetën jashtë Shqipërisë. Kosova, me gjithë fatin tragjik, e ruajti esencën dhe bërthamën e saj kombëtare”- tha ai. Kreu i qeverisë së Kosovës deklaroi gjithashtu se shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, ndërsa shtoi se, sot Shqipëria dhe Kosova me ndërtimin e autostradës së Kombit, janë më pranë njëra-tjetrës si dhe kanë abetaren e përbashkët. “Sot kemi një abetare të përbashkët, Shqipëri-Kosovë, po ndërtojmë autostradën e kombit Durrës-Prishtinë, së shpejti do të fillojë edhe autostrada Prishtinë-Shkup. Do harrohen kohët e vjetra. Po punojmë që në këto kodra të hapet tuneli që lidhet me Tetovën e Gostivarit, në mënyrë që të mos ketë kufij mes shqiptarëve, po shohim mundësitë e mëdha të mos ndajmë trevat, të mos ketë kufij”, u shpreh më tej, Hashim Thaçi.
...