Penalltia e realizuar nga Paulin Dhëmbi në minutën e fundit të takimit, dhe që fiksoi rezultatin e barabartë 2-2, shpëtoi Partizanin nga një humbje e turpshme me Kastriotin në Krujë.
Skuadra e teknikut Petrit Haxhiaj dëshmoi edhe njëherë se në fushën e saj është e pathyeshme, teksa në pesë takime nuk ka pësuar asnjë humbje. Barazimi me Partizanin ishte i katërti për krutanët gjatë tetë ndeshjeve. Kastrioti sulmoi që në fillim duke shënuar befasisht me anë të afrikanit Xhanuari Ziambo në minutën e 7-të (goli i tij i dytë sezonal). Partizani barazoi me anë të një goli të realizuar nga Leandro, goli i dytë i brazilianit rresht me fanelën e kuqe në dy ndehshje. Tri minuta zgjati barazimi 1-1, pasi është golashënuesi më i mirë i krutanëve, Orjand Abazaj që në të 19' kaloi në avantazh vendasit. Goli i tretë i sulmuesit të kombëtares U-21 në tetë ndeshje. Partizani vuan shumë, Bakaj është pranë golit por topi goditi shtyllën. Trajneri Bajko sheh orën vazhdimisht dhe ndërsa entuziazmi në stadiumin "Kastrioti" arrin kulmin, gjyqtari Kredens Meta akodoi në minutën e 90-të penalltinë "fatlume" për Partizanin. Mesfushori me përvojë Paulin Dhëmbi, nuk gaboi dhe rezultati fiksohet në 2-2. Një barazim që përsëritet për herë të tretë në Krujë pas ature 0-0 të sezonit 189-1990, 1-1 të sezonit 1992-1993. Ky ishte edhe barazimi i tretë në 10 takimet midis dy ekipeve.
Partizani zbriti në vendin e tretë me katër pikë më pak se Tirana kryesuese dhe dy më pak se Elbasani që tashmë është i vetëm në vendin e dytë. Kastrioti me dy pikët e "humbura" u ngjit në kuotën e 7 pikëve duke lënë pas vetes Flamurtarin dhe Apoloninë, me të cilën do të ndeshet në javën e ardhshme në Fier.

KASTRIOTI - PARTIZANI 2-2
Shënues: Ziambo 7\', Abazaj 19\'/ Leandro 16\', Paulin Dhëmbi 90(p)
Gjyqtarë: K. Meta, E. Miho, V. Guranjaku
Stadiumi "Kastrioti", Krujë
BILANCI NDERMJET TYRE: 10 ndeshje; 1 fitore Kastrioti, 3 barazime, 6 fitore Partizani. Golat: 8-22