Maxhoranca dhe opozita votojnë pro deklarimit elektronik


Maxhoranca dhe opozita kanë votuar pro projektligjit që sanksionon deklarimin online të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. I diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Arjana Dyrmishi, sqaroi se në thelb ky projektligj do ti shërbejë uljes së informalitetit që ekziston në këtë aspekt dhe do të ulë ndjeshëm edhe numrin e atyre që punojnë në të zezë. Ndryshimet në projektligj parashikojnë që çdo biznes të deklarojë në mënyrë elektronike pranë Tatimeve numrin e saktë të punonjësve, madje për bizneset që sapo regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, kjo procedurë duhet të bëhet brenda dy ditëve. Kjo në një farë mënyre, sipas Dyrmishit, do të krijojë një databaze të plotë të të punësuarve në biznese dhe do të shërbejë si një arkiv elektronik. Ndryshimet në ligj parashikojnë gjithashtu që për çdo punonjës të ri që një biznes do të ketë, do ta deklarojë këtë pranë Tatimeve, një ditë para se punonjësi të fillojë punë, ndërsa për ata që largohen nga puna ky lajmërim duhet të bëhet dhjetë ditë para. Ndryshimi i mënyrës së deklarimit dhe mbledhjes së kontributeve, sipas projektligjit të ri, pritet të japë një efekt pozitiv në lidhje me numrin e saktë të të punësuarve në sektorin privat. Për çdo të punësuar, biznesi duhet që të japë detaje të plota lidhur më pagën që ai do të ketë, të dhënat e detajuara të identitetit dhe kontributet që paguhen. Kjo në një farë mënyrë, sipas Ministrisë së Financave, do të lërë më pak hapësira për të abuzuar. Bizneset tani do të kenë më pak kontakte me administratën tatimore, duke ulur edhe burokracitë. Përfaqësuesja e Financave tha se dy nga mënyrat me të cilën abuzohet me pjesën e deklarimit nga bizneset është deklarimi me një pagë më të ulët sesa ajo reale e punonjësve për të paguar më pak kontribute, ose mosdeklarimi i tyre. Me ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për kontributet shoqërore dhe shëndetësore këto praktika do të minimizohen. Deputetët në Komisionin e Ekonomisë vlerësuan pozitivisht ndryshimet e bëra, duke votuar në tërësi si dhe nen për nen projekligjin që do të kalojë në seancën plenare të radhës.


Bypass në Fier e Vlorë, debat mes PS dhe drejtorit të Rrugëve

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me votat e maxhorancës dhe të opozitës marrëveshjen mes Shqipërisë dhe BERZH-it për të financuar me rreth 53 milionë euro bypass-et e rrugës së Fierit dhe të Vlorës. Megjithatë, deputetët e opozitës kanë replikuar me drejtorin e Rrugëve, Andi Toma, lidhur me afatet e shkelura të përfundimit të rrugës Fier- Vlorë. Dy byppas-e prezantojnë segmente të rëndësishme lidhëse të korridorit Veri-Jug. Bypass-i i Fierit ka një gjatësi prej 22 km, është me dy karrexhata, me gjerësi 22 metra. Parashikohet të ndërtohen tri ura me gjatësi nga 80 metra secila, që do të ndërtohen mbi lumin Seman dhe mbi kanalin e Oxharës. Kemi edhe katër kryqëzime në nivel dhe disnivel. Byppas-i i Vlorës do të bëjë të mundur eliminimin e kaosit që krijohet në verë. Parashikohet të nisë nga pjesa ku mbaron autostrada Levan-Vlorë, te Pusi i Mezinit, të kalojë në Kaninë dhe të dalë në Orikum, u shpreh drejtori Toma teksa shpjegoi detajet e marrëveshjes. Më pas, deputeti Tahiri i kërkoi atij shpjegime për rrugën Fier-Vlorë, ndërsa drejtori, nga ana e tij, u shpreh se kjo ishte një çështje jashtë rendit të ditës dhe se për këtë mbledhje ishte thirrur për të diskutuar, për dy bypass-et. Pas reagimit të drejtorit ka ndërhyrë Fatmir Xhafaj, i cili në mungesë të Rusmalit, drejtoi mbledhjen e Komisionit, duke i kujtuar Tomës të sillet si përfaqësues i institucionit që është thirrur në mbledhje. Ti do të na tregosh çfarë rendi dite kemi? A je në terezi?, iu drejtua Tahiri drejtorit Toma. Në fund, pas hedhjes në votim, ku ishin dakord edhe deputetët e PS-së, Xhafaj, jo pa ironi i kujtoi Tomës se mund të largohej pasi kjo pikë e rendit të ditës kishte përfunduar. Mund të largoheni ju nëse keni dhe orën e tenderit të bypass-it. Sot e keni tenderin?, iu drejtua Xhafaj, teksa po me ironi iu përgjigj edhe drejtori: Pse, ju jeni pjesëmarrës? Unë nuk tregova militantizëm. Jo të fillojmë tani me histori dhe arkivat.


NERTILA MAHO