Veliaj: Formulë e BE-së. 63 ditë pas lindjes burri mund të vazhdojë lejen, gruaja punën


Skema e re - Me skemën e re të gjitha vitet e të punësuarve vlejnë, kurse nevojtarët do të marrin pension social.


Rritja - Do të parashikojmë rritje të pensioneve për të gjithë ata që janë në skemën aktuale të sigurimeve.


Zamir Alushi 


Erion VeliajPagesa për barrëlindjen do jetë më e vogël se paga reale, deklaroi dje ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat gjatë prezantimit të Projektligji për Sigurimet Shoqërore. Është më e vogël se paga reale, sepse duam të nxisim kthimin në punë. Nuk mund të inkurajojmë formula që lejojnë hapësira për abuzime. Kjo është e njëjta formulë që përdoret në 28 vendet e BE-së. Për herë të parë kemi leje lindjeje për burrat. Nëse gruaja është në karrierë përfitimet nuk humbasin, pasi do të paguhet burri të rrijë në shtëpi për të rritur fëmijën. Ky është më tepër një element social dhe emancipues sesa element kursimi. Ne i paguajmë edhe sigurimet duke ndenjur në shtëpi, shpjegoi skemën e re ministri Veliaj, i cili reagoi pas ndërhyrjes së deputetes së PS-së, Blerina Gjylameti. Deputetja ka kërkuar informacion se sa shkon kostoja e këtyre ndryshimeve të bëra në skemën e re. Në vendet e BE-së paguhet 100% e pagës. Në Shqipëri merret 60% e pagës. Në Shqipëri nuk paguhen kontributet mbi pagat reale, sepse ka pasur informalitet. A e keni menduar faktin që këto gra në gjithë vendet e tjera subvencionohen nga shteti? Sa është kostoja?- u shpreh Gjylameti. Kjo praktikë përdoret në të gjitha vendet e BE. Me këtë skemë unifikohet një praktikë që është e njëjtë kudo. Njeriu në punë duhet të marrë më shumë se në shtëpi, tha Veliaj.


Me thonjeza


Veliaj - Pagesa e barrëlindjes është më e vogël se paga reale, duam të nxisim kthimin në punë


Minatorët - Propozimi i miratuar për moshën e pensionit të minatorëve është 55 vjeç, hyn në fuqi më 1 janar.



Si ndryshon ligji


Me ndryshimin që bëhet në nenin 27 të ligjit ekzistues, pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Sipas këtij neni, e ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Pra shtohet periudha minimale e pagueshme pas lindjes nga 42 ditë që është në ligjin aktual. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve. Pra, edhe në këtë rast shtohet periudha minimale e pagueshme. E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është: 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes; 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim. E ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi dhe në aktivitete jobujqësore caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkaq, nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes.


Reformë ose falimentim!


Veliaj ka theksuar se përfituesit në skemën e pensioneve po rriten për shkaqe demografike, si plakja e popullsisë. Nga ana tjetër, numri i kontribuuesve është ulur. Duhen të paktën 3 kontribuues për 1 përfitues, ndërsa aktualisht jemi pothuajse në raportin 1:1, tha Veliaj. Sot deficiti i skemës është 430 milionë dollarë dhe subvencionohet nga buxheti, ndërkohë që distanca mes shpenzimeve e kontributeve sa vjen e po thellohet. Jemi në situatën që shteti ka shteruar paratë për këtë subvencion. Jemi në situatën, ku ose falimenton skema ose duhet ta reformojmë, paralajmëroi ministri.


Formula e re


Ministri Veliaj njoftoi se skema e re parashikon një sistem unitar të llogaritjes së pensioneve. Formula është e tillë që të inkurajojë vite të plota të punës dhe paga sa më reale. Në këtë sens është më i madh interesi që ti deklarojmë pagat reale, sepse do të përfitojnë në moshë të thyer, do të përfitojnë kur të sëmuren, do të përfitojnë kur të ngelen shtatzënë. Jemi futur në një terren të panegociushëm kur vjen puna për të proceduar një standard që po e respektojmë si të gjitha vendet e tjera, tha Veliaj.


 


 


Ky shkrim Pensionet: Pas lindjes, sa më shpejt në punë! u publikua me pare te Gazeta SHQIP.