Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat ka rritje të numrit të vizitorëve nga viti në vit që vizitojnë kalanë e këtij qyteti, që është një nga monumentet më të bukura dhe të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare.

I quajtur dhe Albanorum Oppidium (fortesa e Arbërve) nga romakët, që nga janari deri në 15 shtator 2015 ky monument është vizituar nga 34583 turistë të huaj dhe vendas.

Kjo tendencë në rritje për DRKK-Berat është tregues pozitiv dhe premtues për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe dëshmon qartë se Kalaja historike e qytetit e mbrojtur edhe nga UNESCO, kryeson top listën e vendeve më të vizituara në vend.

Fortifikimi i Beratit është i vendosur në anën e djathtë të rrjedhjes së lumit Osum, aty ku lugina arrin dhe formon një grykë të ngushtë rreth 50-60 metra.

Kodra mbi të cilën ngrihet fortifikimi arrin një lartësi prej rreth 200 metra mbi nivelin e detit dhe ka një formë trekendore të çrregullt, të ngjashëm me fortifikimin e Bylisit. Pozicioni strategjik i fortifikimit të Beratit bënte të mundur kalimin e rrugëve në antikitet nga krahinat e brendshme të luginës së Osumit drejt fushës së Myzeqes, ku gjendeshin qytete dhe qendra të mëdha tregtare si kolonia helene e Apolonisë.