03/07/2009  Projekte të reja në METE-s


Burimet hidrike me të cilat vendi ynë është mjaft i pasur mund të shfrytëzohen edhe për ujë të pijshëm, veç prodhimit të energjisë elektrike. Interesi është shfaqur me projekte të ndryshme në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nga investitorë të ndryshëm, që kërkojnë të shfrytëzojnë burimet hidrike krahas dhënies me koncesion të HEC-eve edhe për furnizimin me ujë të pijshëm Shqipëria ka shfrytëzuar deri tani më pak se 40 për qind të totalit të burimeve hidrike të saj. “Ka projekte për shfrytëzimin e potencialit hidrik të ujësjellësve, në të njëjtën kohë për ujë të pijshëm dhe për shfrytëzimin e energjisë elektrike. Të tilla projekte janë ende ide, por nëse një ditë do të propozohen konkretisht, do të duhet të bashkërendojmë punën midis institucioneve tona për t’i mundësuar komuniteteve tona më shumë ujë dhe drita, më shumë punë dhe mirëqenie”, – theksojnë burimet nga METE. Shfrytëzimi i burimeve hidrike të vendit tonë është rritur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit. Një numër i madh koncesionesh janë dhënë për ndërtimin e hidrocentraleve në të gjithë vendin. Qeveria ka lidhur kontrata për 103 hidrocentrale, një kapacitet prodhues prej 1 mijë megavat dhe një investim që arrin në mbi 2.1 miliardë euro. Hidrocentrale me koncesion janë marrë jo vetëm nga investitorë të huaj, por edhe vendas.