Etleva Delia

Një vajzë 20-vjeçare tentoi të presë damarët, por pas kësaj policia zbuloi historinë e saj të ditëve të fundit, dyshimet se është përdhunuar nga një biznesmen nën kërcënimin e armës. Policia e Tiranës deklaroi dje mbi Ilir Perajn, 37 vjeç, nga Malësia e Madhe, i njohur si biznesmen, pronar i një lokali, rëndonin pesë akuza. Ai dyshohej për "marrëdhënie seksuale me kërcënim me përdorimin e armës", "heqje e paligjshme e lirisë", "dëmtimeve të tjera me dashje", "kanosje" dhe "shkaktim i vetëvrasjes". Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se Peraj, pronar i një lokali në Tiranë, më datë 18 shtator 2009, ka rrëmbyer me forcë një 20-vjeçare tek "Nish Tulla 3" dhe më pas e ka përdhunuar në një lokal tek Instituti Bujqësor. Ngjarja është zbuluar disa ditë më pas, vetëm kur vajza ka tentuar vetëvrasjen duke prerë damarët, pasi ka pasur frikë të denonconte me pretendimin se Ilir Peraj e kishte kërcënuar. Policia tha se në raportin mjeko-ligjor, është përcaktuar se vajza është përdhunuar dhe në trupin e saj janë gjetur shenja dhune.
DESHMIA NE POLICI
Sipas oficerëve të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, Ilir Peraj 37-vjeç, lindur në Malësinë e Madhe dhe banues në Tiranë, dyshohet se ka përdhunuar 5 ditë më parë vajzën 20-vjeçare. Sipas dëshmive të vajzës ajo është marrë me forcë prej 37-vjeçarit në një lokal tek "Nish Tulla 3", në afërsi të urës së Institutit Bujqësor, në Tiranë. Peraj ka nxjerrë një pistoletë dhe pasi ka qëlluar me tytën e armës 20-vjeçaren, e ka kërcënuar atë se do ta vriste nëse nuk pranonte të kryente marrëdhënie seksuale. Vajza pretendon se është nënshtruar nga frika se do ta vriste, por edhe pse ka pranuar të kryejë marrëdhënie me të, sërish nuk i ka shpëtuar dhunës. Sipas dëshmisë së 20-vjeçares, Peraj e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa më pas e ka kërcënuar duke kërkuar të mos e denonconte në polici. Sipas hetuesve 20-vjeçarja ka tentuar të vrasë veten pasi u përdhunua, duke prerë damarët dhe vetëm pas këtij veprimi prindërit dhe mjekët kanë denoncuar ngjarjen. Në kushte të rënda psikike vajza ka pranuar të rrëfejë se çfarë i ishte ndodhur gjatë kallëzimit në polici.
Lirimi i biznesmenit
Në të njëjtën ditë që policia njoftoi arrestimin e biznesmenit, ai në fakt është liruar nga Gjykata e Tiranës. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Bledar Abdullai, i cili ka vendosur masën "arrest shtëpie" ndaj biznesmenit, duke qenë se vajza kishte tërhequr denoncimin ndaj 37-vjeçarit. Në këto kushte togat e zeza kanë vendosur lirimin e biznesmenit dhe vazhdimin e hetimeve, duke e mbajtur atë në arrest shtëpie deri në përfundim të procesit.