1. Mosparaqitja në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme politike e 64 të zgjedhurve deputetë përbën një situatë të paparashikueshme, e cila, që në fillim meritonte vëmendje, analizë, ballafaqim vlerësimesh, referime korrekte, përcaktime të drejta, por mbi të gjitha, reagim të shpejtë institucional dhe zgjidhje institucionale. Tani situata nuk është e thjeshtë, as e lehtë, por e rëndë në disa pikëshikime.


2. Në bazë të Kushtetutës, neni 71, pika 1, mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Dihet se mandati i deputetit ushtrohet në Kuvend, që nuk është mbledhur. Nuk është bërë verifikimi i vlefshmërisë kushtetuese të zgjedhjes për secilin mandat, nëse ekziston ndonjë prej shkaqeve të pazgjedhshmërisë apo të papajtueshmërisë, të parashikuara në Kushtetutë, nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3. Atëherë, përse Kushtetuta cakton se mandati fillon ditën që deputeti shpallet i zgjedhur? Deputeti është subjekt kushtetues. Fillimi i mandatit ditën e shpalljes deputet ka në përmbajtje fitimin nga i zgjedhuri të statusit subjekt kushtetues nominalisht i caktuar. Nga kjo ditë, i zgjedhuri deputet është një subjekt kushtetues nominal. Nga kjo ditë, për të zgjedhurin deputet lindin të drejta dhe detyrime, burimi i të cilave është një: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.


3. Në bazë të Kushtetutës, neni 70, pika 1, deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. Në kuptim të Kushtetutës, deputeti nuk është emërtesë e subjektit politik, në emër të të cilit është zgjedhur apo që ka mbështetur zgjedhjen e tij, as i grupit social, i cili e ka votuar. Deputeti është përfaqësues i popullit. Në cilësinë kushtetuese si përfaqësues i popullit, deputeti nuk është i detyruar, as detyrohet ta ushtrojë mandatin në bazë të urdhrave politikë që shpall partia ku bën pjesë, as në bazë të opinioneve që mbartin zgjedhësit, të cilët e kanë votuar. Nën autoritetin e Kushtetutës, deputeti është i lirë dhe i pavarur në ushtrimin e mandatit të tij.


4. Në bazë të Kushtetutës, neni 2, pika 1, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Në bazë të Kushtetutës, neni 2, pika 2, populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Parimi kushtetues i takueshmërisë së sovranitetit e përkufizon deputetin, si bartës dhe ushtrues të sovranitetit popullor. Nën këtë përcaktim kushtetues, deputeti është mishërim i parimit të demokracisë përfaqësuese.


5. Në bazë të Kushtetutës, neni 1, pika 1, Shqipëria përcaktohet si Republikë parlamentare. Republika parlamentare është përmbushje e parimit konstitucional të organizimit shtetëror të demokracisë përfaqësuese. Në sistemin politik të demokracisë përfaqësuese, populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet të zgjedhurve prej tij, deputetëve, në Kuvend. Jashtë Kuvendit, jashtë veprimtarisë parlamentare, mandati nominal i të zgjedhurit deputet, deri ditën që ai bën betimin si anëtar i Kuvendit është pa lëndë kushtetuese.


6. Në bazë të Kushtetutës, neni 70, pika 2, deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Në kuptim të Kushtetutës, qenia deputet nuk është funksion partiak në subjektin politik, ku deputeti mund të jetë anëtar ose që ka mbështetur zgjedhjen e tij. Në Kuvend, deputeti përmbush vërtet funksion politik, por ai nuk është në detyrë nëpunës partie. Në ushtrim të mandatit, detyra e deputetit paguhet nga Kuvendi, jo nga subjekti politik përfaqësues ose mbështetës.


7. Në bazë të Kushtetutës, neni 72, para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend. Në kuptim të Kushtetutës, betimi është akti që ka në përmbajtje pranimin e detyrës shtetërore të deputetit dhe fillimin e ushtrimit të saj. Pranimi i detyrës dhe ushtrimi i mandatit nuk lidhet, as kushtëzohet nga ndonjë opinion apo qëndrim politik, individual ose i grupit politik, ku i zgjedhuri deputet bën pjesë. Betimi i deputetit nuk është akt politik, nuk bëhet në emër të partisë përfaqësuese ose mbështetëse.


8. Në bazë të Kushtetutës, neni 71, pika 2, gërma “a”, mandati i deputetit mbaron kur ai nuk bën betimin. Në kuptimin kushtetues, mosbërja e betimit do të thotë refuzim, shmangie, mospranim për të ushtruar detyrën e deputetit. Kushtetuta e Shqipërisë, parimet themelore që e përcaktojnë sistemin politik në vend si demokraci përfaqësuese ndalojnë refuzimin, shmangien ose mospranimin për të ushtruar detyrën e deputetit, si protestë politike. I zgjedhuri deputet ka detyrim kushtetues të ushtrojë mandatin nominal takues. Ai vetëm mund të heqë dorë nga mandati. I zgjedhuri deputet, i cili refuzon, shmanget ose kushtëzon ushtrimin e mandatit mbështetur në opinione, motive apo qëllime politike, ndëshkohet nga Kushtetuta me mbarim mandati.


9. Në bazë të Kushtetutës, neni 64, pika 1, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. Në bazë të Kushtetutës, neni 67, pika 1, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Në bazë të Kushtetutës, neni 67 pika 2, në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të nenit 67.


Nën këto përcaktime, është e pamendueshme që Kushtetuta lejon ose pranon një humnerë mungese deri në 6 muaj kohë, që të zgjedhurit deputetë kanë në dispozicion të vendosin, nëse do të marrë pjesë në formimin institucional-kushtetues të Kuvendit të ri ose jo.


Nën këto përcaktime, është e pamendueshme që Kushtetuta lejon ose pranon një humnerë mungese deri në 6 muaj kohë, që të zgjedhurit deputetë kanë në dispozicion të vendosin, nëse do të pranojnë detyrën e deputetit ose jo, nëse duan të fillojnë ushtrimin e mandatit ose jo. Mungesa dhe lejimi i mungesës deri në 6 muaj i 64 të zgjedhurve deputetë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në formimin institucional-kushtetues të Kuvendit të ri, duke iu shmangur ushtrimit të mandatit, paraqet një situatë kushtetuese të rëndë, institucionalisht të papranueshme, politikisht kërcënuese.


10. Ndalimi politik i 64 të zgjedhurve deputetë të përmbushin detyrën dhe ushtrojnë funksionet, që u ngarkon Kushtetuta, përbën rast të shtypjes, nënshtrimit, nëpërkëmbjes, injorimit, shpërbërjes së figurës kushtetuese të deputetit. Një subjekt politik konkurrues në zgjedhje nuk prodhon deputetë vetëm nga vota e anëtarëve të partisë. Deputeti nuk është produkt vetëm i votës në emër të subjektit politik, që përfaqëson apo që ka mbështetur zgjedhjen e tij. Vota zgjedhore ka në përmbajtje perceptime, ndjeshmëri, orientime, interesa sociale, që nuk mund të njëjtësohen, as mbyten nga vota e anëtarëve të grupit politik. Në asnjë rast, mandati i fituar si përfaqësues politik nuk mund të shtypë cilësitë, me të cilat e vesh Kushtetuta deputetin. Pavarësisht sistemit të zgjedhjeve politike në vend, në çdo rast deputeti është përfaqësues i popullit, bartës dhe ushtrues i sovranitetit popullor.


11. Duhet bërë dallimi midis bojkotit të veprimtarisë, si mjet i ligjshëm i protestës politike të deputetit dhe bojkotit institucional. Bojkoti institucional ka në përmbajtje mosnjohjen e institucionit. Nën cilësitë që i vesh Kushtetuta, deputeti e ka ndalim kushtetues të përdorë bojkotin institucional, si mjet të protestës apo presionit politik. Vetëm bojkoti i veprimtarisë është mjet i ligjshëm, që mund dhe duhet të përdorë deputeti. Vetëm në ushtrim të mandatit si anëtar i Kuvendit, deputeti shfaq përkatësinë e subjektit ku bën pjesë, zgjedh pozicione politike, bashkohet me opinione, qëndrime apo aksione të grupit ose grupeve parlamentare, përdorë bojkotin e punimeve apo veprimtari të tjera të Kuvendit si mjet presioni për përmbushjen e qëllimeve të caktuara politike. Mungesa e nga 64 të zgjedhurve deputetë në formimin e Kuvendit të ri është bojkot institucional, kushtetutshmërisht i papranueshëm. Bojkoti i tillë, që shpreh mosnjohje të Kuvendit, do të thotë shmangie nga legjitimiteti i pjesës së sovranitetit popullor përfaqësues, kërcënim për zëvendësim të ballafaqimit politik institucional me kundërvënien me frymëzim revolucionar.


12. Kuvendi i Shqipërisë duhej të reagonte në mënyrë institucionale, menjëherë, pas mungesës së 64 të zgjedhurve deputetë. Reagim institucional duhej të ishte adresimi paraprak i situatës në gjykim kushtetues. Mungesa ishte me frymëzim politik. U shfaqën qartë diferenca dhe nivele të ndryshme të kuptueshmërisë së normave kushtetuese, që cenoheshin nga mungesa e tillë e gjatë. Kuvendi, as subjekti politik i interesuar, nuk kanë të drejtë të interpretojnë disiplinën e normave kushtetuese që kërcënohen me shkelje në një situatë të dhënë dhe as t’u japin atyre domethënien që duan. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti më i lartë që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj, do të shmangte diskutueshmërinë politike në rastin e zbatimit të mundshëm të një norme kushtetuese, që passjell pasoja politike. Zbatimi i interpretuar institucionalisht i normës kushtetuese duhet të paraprijë zbatimin e normës në konflikt politik.


13. Teknologjia politike e mospjesëmarrjes në institucione prodhon krizë. Të duartrokasësh se mund të prodhosh krizë, se mund të gjymtosh institucionet apo më tej, të kërcënosh se mund të bllokosh shtetin me përdorim të fuqisë së subjektit politik në rrugë është sëmundje e vjetër politike. Zgjedhja e teknologjisë politike të mospjesëmarrjes në institucione, pavarësisht nga motivet apo qëllimet mbështetëse vret sistemin.


14. Politika që prodhon aksione që cenojnë Kushtetutën, shkel parimet themeluese të organizimit shtetëror, thyen funksionalitetin e institucioneve, tenton ndalimin apo kthimin mbrapsht të kohës politike në vend, duhet të kapërcehet, të kapërcehet me dorëheqje. Duhet ndalur evazioni i politikës mbi Kushtetutën, institucionet, ligjin dhe shtetin. Kushtetuta nuk është libër partie, respektimi dhe zbatimi i disiplinës së normave kushtetuese në shtet nuk është varësi e humorit politik.


15. Orientimi, ngutja dhe ngulmimi se vetëm dialogu zgjidhka situatën, krizën le ta quajmë, është mësymje për shmangie dhe zhbërje të demokracisë kushtetuese në vend. Demokraci kushtetuese do të thotë detyrueshmëri për ushtrimin e veprimit politik në institucione. Demokracia kushtetuese, si demokraci institucionale nuk mund të zëvendësohet me demokracinë e tavolinave. Në kushtet kur njëra palë është ngulur si monument në kopshtin para selisë së partisë dhe kërcënon me hedhjen e taborëve në rrugë, dialog në tavolinë do të thotë marramendje e shtetit. Dialogu në tavolinë nuk është shfaqje e emancipimit të politikës, por shprehje e një edukimi institucional e shtetëror të dyshimtë. Në një demokraci funksionale, politika nuk lëviz në rrugë, për të kërcyer pastaj në tavolina dialogu, por në institucione. Vetëm politika institucionale prodhon demokraci funksionale.