Takimi
Promovohet libri studimor “Kuteli dhe letrarja”

“Takim me Mitrushin” ishte titulluar aktiviteti i organizuar dje pasdite në sallën ‘Tefta Tashko’ të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kësaj përshpirtje me rastin e 43-vjetorit të vdekjes, i është bashkangjitur edhe promovimi i librit më të fundit studimor për të, “Kuteli dhe letrarja” i studiuesit Behar Gjoka. Ky libër, i botuar pas një punë më se 20-vjeçare, u shtohet kontributeve të mëparshme në fushën e studimeve për shkrimtarin, të realizuara nga Nasho Jorgaqi, Petraq Kolevica, Robert Elsie, Aurel Plasari, Alfred Uçi, Ali Xhiku, Sabri Hamiti. Takimi është hapur me recitimin e “Poem i Shën Naumit” nga aktori i njohur Reshat Arbana. Ndërsa rasti i këtij promovimi, ka shërbyer për t’iu qasur dimensioneve letrare të Kutelit. Pandi Koçi dhe po ashtu Uran Kostreci, kanë bërë një analizë të shkurtër të studimit të Gjokës, duke u ndalur pashmangshëm në kontributin e Kutelit në letrat shqipe si prozator, shqipërues apo edhe si kritik. “Krijimtaria letrare e Kutelit, veçanërisht proza e tij, sado të kalojë kohë dhe të kryhen shqyrtime përmbi të, sërish do të mbetet objekt kërkimi dhe interpretimi, fushë e hapur e leximit dhe rileximit, larmi e formulimit dhe riformulimit të vlerave letrare të sendërtuara prej autorit”, thekson Gjoka. Në këtë takim, ku ka qenë e pranishme edhe zv.ministrja Suzana Turku, është bërë e ditur se Ministria e Kulturës ka nisur procedurat që Mitrush Kuteli të nderohet me titullin “Nderi i Kombit”.








#