Gjatë këtij viti do të shpallen tre personalitete nderi në fushën e letrave, artit figurativ dhe të muzikës. Për të nderuar dhe vlerësuar kontributin e tyre në artin shqiptar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka vendosur të shpallë tre personalitete të vitit. “Fushat ku do të nderohen këta artistë janë muzika me “Viti Vaçe Zela”, në artin figurativ me “Viti Odhise Paskali”, si dhe në sferën e letrave me “Viti Lasgush Poradeci”. “Përzgjedhja e emrave ka qenë një përgjegjësi dhe vështirësi jo e pakët, duke pasur parasysh rolin e pamatshëm që ka luajtur secili prej tyre në Historinë e Artit Shqiptar”, - është shprehur drejtoresha e artit, Joli Eleni Gjovreku, dje në një konferencë për shtyp. Po ashtu, sipas saj, viti 2009 shënon një numër të konsiderueshëm përvjetorësh të personaliteteve të rëndësishëm të artit në të gjitha gjinitë e tij.


“Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, ku duke iu referuar përvjetorëve të ndryshëm të personaliteteve të artit dhe të kulturës, përzgjidhej emri që me veprën e tij kish dhënë një ndikim të ndjeshëm në kulturën kombëtare, është menduar që ky vit të shënojë një kthesë sa i përket këtij momenti”, - shton drejtoresha e artit pranë MTKRS. Gjovreku thekson gjithashtu se me “Viti Lasgush Poradeci” në fushën e letrave jepet për nder të veprës së tij dhe 110-vjetorit të lindjes, “Viti Odhise Paskali” në artin pamor do të vijë në kuadër të 105-vjetorit të lindjes dhe veprës së tij, ndërsa për personalitetin e vitit në fushën e muzikës, drejtoresha tha se “kemi nderin të shpallim “Vitin Vaçe Zela” për nder të figurës së saj të pazëvendësueshme në muzikën e lehtë shqiptare dhe 70-vjetorit të lindjes”. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të realizojë përgjatë këtij viti projekte të posaçme dhe veprimtari të ndryshme kulturore në nderim të këtyre figurave.


Po ashtu, çdo projekt dhe veprimtari që do të organizohet në këtë kuadër, do të mundësohet në bashkëpunim me familjet e këtyre personaliteteve. Veç kësaj, sipas drejtoreshës së arteve në MTKRS, një iniciativë është ndërmarrë edhe për arsye të respektimit të së drejtës së autorit për veprën që do të promovohet, si edhe evidentimi i vlerave të pazbuluara të veprës që ata përfaqësojnë. Pikërisht kjo vepër ndodhet në arkivin e familjes për të paraqitur përmasën e duhur dhe evidentuar rolin e padiskutueshëm që ata kanë luajtur në kulturën kombëtare.