Në kuadër të manifestimeve për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, dje në mesditë, në objektet e stadiumit të fshatit Tërnoc, është përuruar hapja e Muzeut historik, kushtuar jetës dhe veprës së lavdishme të “Komandant Lleshit”.


Muzeu historik “Komandant Lleshi”, u hap nën patronatin e Bashkësisë lokale të fshatit Tërrnoc, të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së, me ç`rast popullata shqiptare për herë të parë pati rastin që t`i shohin mjetet e luftës së “Komandant Lleshit”, duke përfshirë edhe veturën personale në të cilën u vra, e cila mbart një histori në vete, e që për herë të parë u shpalos, më 25 nëntor, e shpuar nga breshëri plumbash.


Brenda muzeut të pranishmit patën rastin të shohin edhe ekspozitën me foto të Ridvan Qazimit – “Komandant Lleshit” ekspozitë kjo, e cila shpalosë shumë kujtime nga jeta dhe veprimtaria e heroit të kombit, transmeton Presheva Jonë.

Hysen Qazimi, babai i komandant Lleshit, në këtë përurim theksoi, se hapja e këtij muzeu dhe ekspozimi i punës dhe veprave të tij ua lehtëson dhembjen e të birit.


“Vrasja e Komandant Lleshit e 24 majit të vitit 2001, vrasje e cila atëbotë përgjaku paqen, katër ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes, u pa qartë se Atdheu ynë kërkon gjakun më të mirë të bijve të kësaj toke Arbërore”, u tha mes tjerash nga bashkëluftëtarët e komandant Lleshit.


Përurimi dhe hapja e Muzeut historik kushtuar “Komandant Lleshit” u përmbyll me porosinë: “Lavdi e përjetshme Komandant Lleshit dhe gjithë dëshmorëve të kombit. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”./Indeksonline/