Sejfi Protopapa

Peshkopi grek Janullatos do të kërkonte nënshtetësinë shqiptare për të siguruar postin e tij si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare për vete, si edhe për peshkopët e tjerë grekë, që do të vijonin në postin e tij. Peshkopi grek ka kërkuar mbështetjen e kryeministrit grek, Karamanlis, që të marrë nënshtetësinë shqiptare. Me vizitën në Boston, ai ka marrë mbështetjen e vëllezërve Artur dhe Nikon Liolini. Për këtë arsye është e domosdoshme që të ndërpritet kontrolli absolut i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare nga kombas grekë. Pra, është e arsyeshme dhe me vend që t'i mohohet nënshtetësia shqiptare Peshkopit Janullatos.
Për më tepër, ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, nuk firmosi dokumentin e nënshtetësisë për Peshkopin Janullatos.
Ai erdhi në Shqipëri më 1991 me fjalët: "Jam një zëvendës, eksark, me një detyrë të përkohshme". Këto fjalë të Peshkopit Janullatos dolën një gënjeshtër e qartë. Edhe ish-presidenti Rexhep Meidani nuk firmosi atë nënshtetësi të pamerituar.
Po ashtu edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, refuzoi. Z. Moisiu është i fesë ortodokse dhe prapë se prapë ai refuzoi. Si shqiptar i përsosur, z. Moisiu nuk dëshironte që t'i mbetej një baltë në emrin e tij të kulluar. Ish-presidenti Moisiu nuk do të lejonte që Imzot Noli të ngrihej nga varri dhe t'i thoshte: Djali im, përse po merr pjesë në shkatërrimin e Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare? Unë kam punuar me mish e me shpirt për ndërtimin e kishës. E fillova punën më 22 mars 1908, si një prift i thjeshtë, kur dhashë Liturgjinë e Shenjtë në gjuhën shqipe për herë të parë dhe me atë akt rrezikova karrierën dhe jetën time.
Ish-presidenti Sali Berisha po ashtu refuzoi. Z. Berisha e pa në ekran ndërprerjen e kurorëzimit të Peshkopit Janullatos si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare. Shqiptarët e kulluar bërtisnin pa pushim: Kjo është Kisha e Imzot Nolit. Kjo është Kishë Shqiptare. Kjo është kisha jonë. Ceremonia u mbarua në një hotel në Tiranë.
Sot, po ashtu, Presidenti i Shqipërisë duhet të refuzojë të firmosë për nënshtetësinë shqiptare të Peshkopit grek Janullatos. Përse Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, të futet në historinë e Kombit shqiptar me këtë njollë?
Për më tepër, nën drejtimin e Peshkopit Janullatos është bërë përgatitja që kryepeshkopi i kishës shqiptare të jetë vazhdimisht një peshkop me nënshtetësi dhe kombësi greke.
Kjo përgatitje greke është planifikuar në këtë mënyrë:
Në fazën e parë përdoret kriteri i vjetërsisë në punë. Kështu, mbas Janullatosit vjen Peshkopi Ignat, mitropoliti i Beratit, i cili qëllimisht është dorëzuar peshkop 24 orë më parë se Peshkopi Jani Pelushi, mitropoliti shqiptar ortodoks në Korçë.
Në fazën e dytë do të përdoret kriteri gjeografik. Drejtuesit grekë do të caktonin, të themi Beratin, si Mitropolia ku do të shërbente peshkopi pasardhës i kryepeshkopit në pushtet. Në këtë rast, një peshkop grek, të themi Peshkopi grek Dhimitris i Gjirokastrës, do të transferohej në Berat dhe me rregullin e ri ai do të zëvendësonte Kryepeshkopin Ignati, pasardhësin e Peshkopit Janullatos.
Ndërkohë që tre peshkopë grekë, njëri mbas tjetrit, kontrollojnë postin e kryepeshkopit, peshkopi shqiptar Jani Pelushi mund të jetë ndarë nga kjo botë, ose do të konsiderohet plak dhe i mykur.
Ndërkohë specialistët grekë në Fanar do të përgatisnin një sekuencë të re për të siguruar postin e kryepeshkopit, vazhdimisht, për peshkop me nënshtetësi dhe kombësi greke.
Sa boshllëk na sjell mungesa e Kryepeshkopit Theofan Stilian Noli!
Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë sot drejtohet nga vëllezërit Liolin, At Artur Liolini si Kancelar dhe Peshkopi Nikon Liolini si peshkopi ortodoks i zonës verilindore të SHBA, ku bën pjesë edhe kisha shqiptare. Këta dy vëllezër ftuan Peshkopin Janullatos si dhe Peshkopin Ilia Katre, (i lidhur me Patrikanën greke në Stamboll dhe përgjegjës i dy kishave shqiptare në Amerikë), për të festuar meshën e të dielës, më 9 mars 2008 në kishën e Shën Gjergjit, në Boston, themeluar nga Imzot Noli. Në këtë mënyrë, tre peshkopët dhe At Arturi do të festonin 100-vjetorin e ditës kur At Theofan Stilian Noli, një prift i thjeshtë, foli shqip për herë të parë mbas 13 shekujsh, në shërbimin e meshës për ortodoksit shqiptarë të Bostonit. Në të vërtetë, Imzot Noli meshoi shqip më 22 mars 1908. Thjesht, Liolinasit përdorën 9 marsin për të mundësuar praninë e Peshkopit grek Janullatos në kishën e Imzot Nolit, ndërsa Peshkopi Janullatos kishte ardhur në Boston për nevoja dhe shërbime mjekësore. 
Çfarë sakrilegj! Një gënjeshtër banale për shqiptarët. 
Më 22 mars 1908 ishte hapi i parë, drejtuar nga Imzot Noli, që përfundoi me themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare e njohur më së fundi zyrtarisht më 1937.
Ky akt flagrant i Liolinasve u protestua nga një numër shqiptarësh në kishën e Shën Gjergjit, atë të diel më 9 mars 2008. Si rezultat i meshës së 9 marsit, Peshkopi Janullatos, me lot në sy nga gëzimi, mori në dorë edhe mbështetjen e kishës shqiptare të Amerikës.
Prej asaj dite, At Arturi ka filluar publikisht të vlerësojë dhe të lavdërojë punën e Peshkopit Janullatos në Shqipëri. Ndofta, Liolinasit kanë nevojën e Peshkopit grek për ndihmë financiare, si edhe për kuadrot fetare që përgatiten në seminarin ortodoks të Durrësit, i organizuar nga Peshkopi grek Janullatos.
Ky është po ai At Artur, që gjatë bombardimit të NATO-s kundra forcave serbe në Kosovë ankohej me këto fjalë: "Sulmet ajrore nuk mund të vinin në një kohë më të keqe. Tani jemi në mes të Lentës së Madhe në kishën ortodokse; po ashtu, tani është festa e Novruzit për myslimanët. Për këto arsye është veçanërisht vështirë dhe një shqetësim moral të dëshmosh bombardime në këtë kohë".
Ndofta, At Arturi do të priste deri sa shqiptarët e Kosovës të zhdukeshin tërësisht nga Kosova. Po ashtu, unë e sfidoj At Arturin të gjej vetëm një bektashi në gjithë botën, që do të ankohej për bombardimet e NATO-s për të shpëtuar jetën e shqiptarëve në Kosovë. Po në atë kohë, prifti ortodoks shqiptar i Worcester, Urata Spero Page tha: "Ato janë platituda që duken shumë të bukura, por fakti mbetet që serbët, megjithëse janë ortodoksë, nuk po zbatojnë mësimet e Krishtit. Ata (serbët) aktualisht po i therin, po i shkërdhejnë dhe me forcë po i shpërngulin kosovarët nga vendlindja e tyre". Urata Spero Page po komentonte për falet e peshkopit grek Methodios, që në fakt ishin më të forta se ato të At Arturit, kundra bombardimit të NATO-s në Kosovë. (Beto shënime janë në anglisht në gazetën "Boston Globe" në datat 25 mars 1999 dhe 12 prill 1999).     
Po ashtu fushata kohore e At Arturit është krejt në kundërshtim me pozitën e tij, kur ai së bashku me priftin shqiptar Michael Sotir, kryetarin laik Tom Sotir, patriotin Andon Athanasi,  patriotin Niko Kirka dhe Sejfi Protopapën erdhën në Tiranë më 1992 për të kundërshtuar peshkopin Janullatos dhe ndërhyrjen greke në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Vizita në Tiranë e patriotëve shqiptaro-amerikanë konsiderohet si një nga burimet e protestës shqiptare në ceremoninë e kurorëzimit të Peshkopit Janullatos si Kryepeshkop i kishës shqiptare. Ceremonia në kishë u ndërpre dhe vazhdoi në hotel "Tirana". Shefat grekë të ardhur nga Athina u larguan nga kisha para kohe.
Me këtë lëvizje diametrike, vëllezërit Liolin tash e tutje do të flasin një gjuhë, ndonëse të sofistikuar, por gjithmonë të helmuar për mbijetesën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Qeveria shqiptare është i vetmi ent demokratik që mund të ndërpresë me qartësi planet e rrezikshme të Peshkopit Janullatos. Ai nuk është dhe nuk duhet të jetë nënshtetas shqiptar. Kanë kaluar 17 vjet dhe ende kuadrot shqiptare të kishës ortodokse mbeten prapa zotërinjve peshkopë dhe kryepeshkopë grekë. Sot, me kuadrot shqiptare në kishën ortodokse, ka ardhur koha që shqiptarët të drejtojnë kishën e tyre të frymëzuar nga jeta dhe veprat e Kryepeshkopit Theofan Stilian Noli.