Ministria e Arsimit ka vendosur që të pezullojë për një vit licencën e universitetit privat Kristal. Shkak për këtë është bërë skandali që shpërtheu pak javë më parë me diplomën e djalit të Umberto Bossi-t, Renzo Bossi.


Ky i fundit u zbulua se ka marrë një diplomë tek Kristal, por dyshohet se nuk ka qenë në Shqipëri. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet për këtë rast.


Ministria e Arsimit pritet që të japë sqarime për pezullimin e licensës, si dhe për fatin e studentëve të Kristal.


Më poshtë vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave:


V E N D I M


PËR

PEZULLIMIN E PJESSHËM DHE TË PËRKOHSHËM   TË LICENCËS SË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE  JOPUBLIKE, UNIVERSITETI KRISTAL


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 46, të    ligjit nr.9741 datë 21.5.2007, Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1.    Pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti Kristal,  për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë.


2.    Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti Kristal, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron.


3.    Periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.


4.    Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti Kristal, ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale.


5.    Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë.


6.    Në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti Kristal, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.


7.    Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë.


8.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti Kristal, për zbatimin e këtij vendimi.


Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare.