edison ypiNga Edison Ypi

Armiqtë e thurnin ose e kurdisnin, burokratët e hartonin, proletarët e tejkalonin.

Bosh, i pabesueshëm, subjektiv, fiktiv, propagandistik, pa asnjë lidhje me "punën" të cilën pretendonte se e udhëhiqte, nuk kishte asgjë më paradoksale se "Plani".

Habia që shkaktonte plani surreal ndaj punës inekzistente, kapërxente çdo përfytyrim, nuk kishte të krahasuar me asgjë, as me habinë tmerruese që shkaktonin arrestimet, internimet, burgosjet, pushkatimet, varjet, që, sado sado absurde, kishin një shkak, kishin, një thelb, ishin të prekëshme, dikujt i intresonin.

Mund të provoje ta qasje, ta krahasoje, ta vijë të konkurronte me episode fantazmagorike librash, filmash apo rrëfimesh. E kotë. Ekzistenca e planit nuk qëndronte brenda asnjë logjike sado të çkurdisur, asnjë fantazie sado të zhubrosur, asnjë ëndërre sado të fandaksur. Plani gjithmonë ikte, gjithmonë dilte, gjithmonë avullonte, gjithmonë arratisej. Askush nuk ishte në gjendje t'ja justifikonte ekzistencen, t'ja kapte fillin planit, sado të lodheshe, esëll apo me kokën mes grushtash pas pesë dopjo raki.

Shkaja e dikujt "Nëse nuk do që një punë të kryhet, bëj një plan për ta mbaruar", përveçse e perifrazuar dhe e zbehtë, nuk jepte asnjë ndihmesë për zgjidhjen e enigmës.

"Plani punën, puna planin" si "veza pulën pula vezën" gjithashtu nuk bindëte askend. Se veza dhe pula duke qënë të ngrënëshme ishin të prekëshme, dhe vërtet e bënin njëratjetrën, ndërsa plani dhe puna që pretendonin të ishin gjithaq shkak-pasojë sa veza dhe pula, nuk ekzistonin as bashkë as veç e veç.

Të kishe aftësinë që planin e asgjësë ta realizoje dhe tejkaloje në plan të punës në letra me raportime fiktive dhe marifete aritmetike, ishte më se normale, të gjithë e bënin.

Të mos e kishe talentin, e aq më keq dëshirën, për ta tejkaluar planin në letra, ishte krejt tjetër gjë. Mbledhje pas mbledhjesh me pjesmarrje të të deleguarve nga komitetet e partisë në lidhje të drejtpërdrejtë me sigurimin. Rasti më fatlum ishte një groposje për së gjalli e vetvetes përmes një autokritike gjatë një mbledhjeje kolektivi, një autopërdhosje që t'i zbaviste dhe bindëte përfundimisht zhulsat e ndërmarrjeve dhe të uriturit e kooperativave se nuk je njeri po qen. Ky rast "pinte ujë". Se çfarë lidhje kishte uji dhe pirja apo mos pirja e tij në kontekstin kriminal të mundësisë ose pamundësisë për të realizuar e tejkaluar në letra një plan fantazmë, askush nuk ja kishte ngenë të pyeste. Kuptimi i thellë i shprehjes misterioze me ujë dhe pirje ose mos pirje uji, sot e kësaj dite ka mbetur pezull.

Nëse vetpërdhosja e quajtur autokritikëë, "s'pinte ujë", nën vështrimet e rrepta të sigurimistave që autokritikën vegroposëse e kqyrnin si kqyr radiologu radiografinë e mushkrisë të gjurmë të hijeve të turbekulozit, duhej të jepje llogari si e qysh e pse, cili je, nga cila familje rrjedh, ç'qëndrim kanë mbajtur të tutë gjatë luftës etj etj. Hija më e vogël, s'linte asnjë dyshim. Shpalleshe atypëraty sabotator, armik. Dy policë që mbinin nga dheu vinin e të hidhnin prangat në mes të mbledhjes së kolektivit, ku bëhej autokritika, ku pihej a s'pihej uji, ai që lart buronte i pastër por ndotej rrugës.

Sipas modeleve staliniste të krijimit të superherojve proletarë të uzinave dhe fabrikave prej të cilëve duhej të merrnin shembull gjithë të tjerët, hera-herës shpikeshin traktoristë, shoferë, mjelëse, që bënin diçka që kapërxente çdo përfytyrim, tejkalonin tejkalimin e planit. Këta ishin ca Perëndi që nuk flinin as ditë as natë. Gjithë kohës vetëm punonin duke bërë rrëmujë kronologjinë, duke çvleftësuar kalendarin. E tejkalonin tejkalimin e planit aq tepër sa nëse dikush që planin thjesht e tejkalonte dhe me kalendarin dhe kronologjina s'kishte asnjë kontradiktë, tjetri, stakanovisti, traktoristi, mjelësja, minatori, që tejkalonin tejkalimin e planit ndodheshin përpara në kohë si personazhet e librave divulgues të teorive të Ajnshtajnit që pretendojnë qartësimin e karakterit relativ të njëkohshmërisë së ngjarjeve. Tejkaluesi i tejkalimit të planit ndaj tejkaluesit të planit, aq vite para në të ardhmen sa plumba ballit gjatë pushkatimit sabotator që nuk kishte realizuar në letra planin, nja dhjetë.

Që sigurimi arrestonte dhe internonte me plan të cilin gjithashtu e realizonte dhe tejkalonte rregullisht, këtë mileti edhe e dinte edhe nuk e dinte.

Që Lasgushi, Vedat kokona, Mitrush Kuteli dhe të tjerë pëkthenin me plan, e dinin disa, por brenda frikërave shumë më të llahtarëshme se leximi "pa plan" i përkthimeve "me plan" për të cilat të ikte koka, këtij fakti nuk i jepej rëndësi.

Të dëgjoje prej dikujt "Kam bërë plan të martohem sivjet", ishte më se normale.

Të thoshte dikush tjetër "Kam bërë plan të afrohem me filankën", që në Shqipen e sotme ishte ekuivalente me "kam rënë në dashuri me një zuskë", edhe kjo ishte mëse normale. Por në këtë rast duhej të bëje shumë kujdes, se me zuskën që ishe dashuruar, deshe-s'deshe pas pak do fejoheshe, do martoheshe, dhe pak më pas do pillje bastarda.

Plan objektiv, objektivat e planit, plan 5 vjeçar, plan vjetor, plan mujor, plan ditor, plan masash, plan prodhimesh etj. etj.

Kurrë nën 100 %. Gjithmonë mbi 100 %.

Bënte përshtypje shifra pas 100-ës. Ishte gjithmonë e saktë, gjithmonë e përpiktë, gjithmonë me një presje dhjetore dhe një shifër nga pas, 138.7, 129.2, 111.8, jo rrallë edhe me dy shifra dhjetore, 123.57 % ose edhe 183, 27 %.

Lajmet në televizor nisnin me tejkalimin e planit. Shkarazi përmendeshin "vështirësitë" që kurrë nuk cilësoheshin.

Gazetat me gërma të mëdha jepnin në faqen e parë shirat e tejkalimit të planit

Mbledhjet nisnin dhe mbaronin me realizimin dhe tejkalimin e planit.

Shumë për të qeshur ishte "volumi i planit".

Kishte punë me plan, por nuk u dëgjua kurrë për ndonjë plan me punë.

Flitej për gjëra që ishin ose duhej të ishin në plan të parë. Për plan të dytë e të tretë, kurrë.

Tejkalimi i planit të foragjereve, nuk u kuptua kurrë çfarë ishte.

Plani i punës edukative, gjithashtu të linte pa ment.

Në pamundësi absolute për të patur një ide çfarë ishte plani aktual, "plani përspektiv" linte me gojë hapur të madh e të vogël.

Plani real, objektiv, ishte një çmenduri që s'rrëfehet dot me fjalë.

Komisioni i planit, ishte një tufë burokratësh.

Pikat e planit ishin një shpikje që do zilepste Xhorxh Oruellin.

E kështu me rradhë, me plane që tejkaloheshin dhe punë që nuk bëheshin, derisa një ditë nuk u bë dot asnjë plan dhe asnjë punë dhe të gjithë muar arratinë.