Policia suedeze jep versionin zyrtar lidhur me ngjarjen në Boras të Suedisë, me protagonist nipin e Admir Tafilit, i cili u sulmua me armë dhe thikë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë thuhet se rreth orës 16:45 të pasdites së datës 31 dhjetor dy fëmijë të moshës rreth 12 vjeç janë sulmuar nga një person i veshur me të zeza dhe një jelek fosforeshent jeshil pa logo. Në afërsi të stacionit të autobuzit në zonën e njohur si lagjia Boda, i panjohuri është afruar në drejtim të të miturve dhe ka nxjerrë një armë zjarri duke qëlluar dy herë në drejtim të njërit prej tyre. Pasi e ka parë se plumbat nuk e kanë zënë 12-vjeçarin, i panjohuri ka nxjerrë një thikë dhe e goditur në pjesën e sipërme të supit, në afërsi të qafës. Adoleshenti që e shoqëronte është larguar po ashtu edhe i panjohuri, ndërsa djali i plagosur është drejtuar drejt stacionit të autobusit ku qëndronin dy persona të tjerë dhe u ka kërkuar ndihmë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë, të cilët kanë rrethuar të gjithë zonën. Identiteti i të miturit të plagosur nuk bëhet me dije pasi siç thuhet në njoftimin e policisë, nuk mund të jepet për arsye të moshës, ndërsa thekson se është i biri i Luan Tafilit, azilkërkues në Suedi dhe shoqërohej nga djali i Admir Tafilit. Sipas autoriteteve gjithashtu ka pasur një pretendim nga babai i të plagosurit se djali i tij është sulmuar nga vrasës me pagesë dërguar nga familja me të cilët ata janë në gjak në vendlindje. Por zëdhënësi i policisë, i është përgjigjur kësaj çështje duke deklaruar se janë thjesht konkluzione të familjarëve, pasi sipas tij policia nuk ka fakte që tregojnë diçka të tillë.