cocaineNjë hetim ka nisur në Malin e Zi për të përcaktuar nëse sasia rekord e kokainës e kapur së fundmi kishte destinacion vërtet Shqipërinë.


Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe, Politika.


Sipas saj, ekziston mundësia që blerësi i kokainës të jetë nga Mali i Zi ose Kosova.


Javën e shkuar, zyrtarët e doganave në Tivar të Malit të Zi kapën 250 kilogramë kokainë në një dërgesë bananesh.


Por burimet pranë policisë malazeze thonë për mediat serbe se ngarkesa me shumë gjasë do të shkarkohej në Mal të Zi.


Ngarkesa arriti në Tivar më 3 qershor nga Ekuadori, në një anije në pronësi të kompanisë italiane MCI.


Dokumentacioni i anijes tregonte se kontejnerët ishin dërguar nga Vimticorp nga Ekuadori, kurse pritësi ishte Rrapo Company në Shqipëri.


Sipas dokumentacionit, kontejneri do të transportohej në rrugë tokësore për në Shqipëri.


Gazeta serbe shkruan se është interesant fakti se anija menjëherë pasi ka bërë shkarkimin e mallit në Mal të Zi, ka lundruar për në portin shqiptar të Durrësit.


Burime të mirëinformuara i thanë gazetës: Personalisht dyshojmë, si shumë të tjerë, se droga supozohej të mbetej në Mal të Zi.


Sasia gjigande mendohet se vlen 14 milionë euro.