TIRANË - Porti i ndërtuar në Porto Romano, mori dje lejen për të pritur anije të tonazheve të ndryshme dhe kategorizohet si port i hapur për trafik ndërkombëtar. Ai do të përdoret vetëm për ankorimin e anijeve që transportojnë naftë dhe gaz dhe do të jetë në shërbim të shoqërive të importit të këtyre produkteve në Shqipëri.



Ndërtimi i portit të hidrokarbureve në Porto Romano, është dhënë me koncesion nga Qeveria Shqiptare në formën BOT, ku koncesionari, pasi e ndërton, gëzon të drejtën e shfrytëzimit të tij dhe, në përfundim të këtij afati, duhet t'ia dorëzojë shtetit shqiptar. Porti në fjalë është ndërtuar 6 km në veriperëndim të qytetit të Durrësit, në një zonë ku plot tetë kompani të importit të naftës dhe nënprodukteve të saj, si dhe të gazit që operojnë në Shqipëri, kanë ngritur depozitat e tyre.



Një vendim i Këshillit të Ministrave, datë 17 korrik 2007, i cilëson portet e Porto Romanos, dhe atë të Pyllit të Sodës në Vorë që po ndërtohet nga shoqëria italiane "La Petrolifera", si të vetmit që do të kenë të drejtën e përpunimit të anijeve që transportojnë naftë. Vetëm disa muaj më parë, koncesionari "Romano Port", e pa të arsyeshme që, krahas pontilit të naftës, të ndërtonte dhe një dallgëthyes përreth tij, duke u bërë të mundur anijeve ankorimin pa probleme dhe për të arritur përdorimin e tij gjatë gjithë vitit, duke mos u ndikuar nga kushtet meteorologjike.



Sipas kontratës së dhënies me koncesion, konsorciumi shqiptar ka të drejtën e përdorimit të 6000 metrave katrorë toke dhe të 42 000 metrave katrorë në det. Në marrëveshje, gjithashtu, është parashikuar që në dy vitet e para të funksionimit të tij, administrimi do të kryhet nga një kompani e huaj dhe me eksperiencë në këtë fushë.