Hynin në dhomat e studentëve dhe grabisnin çfarë gjenin: çanta, portofola, kompjuterë dhe sende me vlerë

Dy persona të dyshuar për disa vjedhje në kryeqytet, janë vënë në pranga nga policia, ndërsa një i mitur do të hetohet në gjendje të lirë. Burime zyrtare të policisë bënë me dije për gazetën “Shqip” se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi vjedhësish që ishte kthyer në tmerr i Qytetit Studenti. Sipas tyre, pas një pune të kujdesshme u bë i mundur arrestimi i autorëve të disa veprave penale, të identifikuar si B.M., 16 vjeç dhe Xh.K., 15 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa E.F., 13 vjeç, po nga Tirana, do të hetohet në liri.


Ka qenë patrulla e Komisariatit Nr.1 ajo që i ka pikasur rastësisht këta shtetas teksa kanë dashur të ndryshojnë ngjyrën e një motori. Kaq u ka mjaftuar uniformave që t’i shoqërojnë dy adoleshentët dhe të miturin në komisariat. Fati ka qenë në anën e policisë, kur një shtetas ka njohur motorin që iu kap të shoqëruarve dhe pas deklarimit se ai ishte pronë e tij, kanë nisur edhe hetimet për vjedhësit. Teksa kanë pranuar se po e lyenin mjetin lëvizës që ishte pronë e një tjetri, për të mos u dalluar, inspektorët e krimeve janë treguar të kujdesshëm për të punuar me ta. Të shoqëruarit janë marrë në pyetje njëri pas tjetrit, nga ku ka dalë se përveçse kësaj vjedhjeje, ata kishin kryer edhe disa të tjera në Qytetin Studenti. Rrëfimet e tyre u kanë dhënë mundësi inspektorëve të Komisariatit Nr.1 të dokumentojnë disa ngjarje të tjera. Sipas policisë, adoleshentët kanë pranuar se më 5 qershor 2010 kanë vjedhur dy kompjuterë laptop, në dy dhoma të bujtinave në Qytetin Studenti, në pronësi të dy shtetasve. Ata kanë pranuar se edhe më 13 maj 2010 kishin vjedhur një tjetër kompjuter laptop në bujtinën nr.10, po në Qytetin Studenti, në pronësi të një shtetaseje. Sipas policisë, këta persona kishin blerë mjete për të prerë hekurat e dritareve të dhomave dhe futeshin brenda dhe grabisnin çfarë gjenin: çanta, portofola, kompjuterë, si dhe sende të tjera të studentëve.








#