Interpreton në Macerata në operën “Carmen” të Bizesë me regji të Dante Ferretit


Më 2007 ishta magjistarja që magjepsi publikun italian tek “Makbethi”. Tepër e hijshme për të qenë një shtrigë shekspiriane. Këtë vit është femra provokuese, e lirë, një spanjolle e fillimshekullit XX tek “Karmen” e Bizesë.


Balerinë, këngëtarë, teknikë e figurantë janë ngjitur në arenë për të risjellë rebelen Karmen në arenën Sferisterio, në Macerata të Italisë ku kanë nisur provat për një nga veprat më të famshme të repertorit operistik. “Karmen” e Zhorzh Bizesë që mban firmën e Dante Ferrettit. Mes interpretuesve që po përgatiten në skenë është edhe balerina Anbeta Toromani, e cila prej 6 vjetësh është njohur nga italianët përmes spektaklit televiziv “Amici” të Maria De Filippit. Balerina shqiptare dhe interpretuesja shprehëse e koreografive të Gheorghe Iancut është prima ballerina në operën e Bizesë. Krah saj janë balerinë të trupës “Fabula Saltica Dance Company”, Giacomo Bevilacqua, Silvia Casadio, Marta Mafalda Marcelli, Tiziana Minio, Danilo Palmieri dhe Davide Zongoli. Mes të tjerash, balerinët do të interpretojnë një tango pasionante në një ambient të ri që Ferretti i ka dhënë operës, që është i Spanjës së viteve ’30. Regjisori ka deklaruar në mediat italiane se opera e tij nuk ngjan me vëniet e tjera. Ajo është frymëzuar nga neorealizmi, nga kinematografia e De Sikës dhe Roselinit. Interpretimi i Anbetës në këtë skenë, është i dyti brenda një periudhe të shkurtër. Sipas “Corriere Adriatico”, “vetëm një vit më parë ka mahnitur publikun me performancën e saj perfekte, duke interpretuar me elegancë, Hekatën, një prej shtrigave të “Makbethit”, drejtuar nga Pier Luigi Pizzi”.