Mbledhja e Asamblese socialiste krijoi një tjetër precendent në historinë e kësaj partie. Për herë të parë ajo u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e medias. Ky precedent solli edhe përplasjen më të madhe në këtë asamble, ndryshe nga sa pritej që debatet më të ashpra të përqendroheshin mbi 2 projektrezolutat. Ben Blushi këmbënguli në zhvillimin e punimeve në prani të medias, por kërkesa e tij u rrëzua me forcën e kartonave. E për Arben Malajn, kjo është një mungesë transparence që vjen në një kohë kur Partia Socialiste ka nevojë për transparencë më shumë se për gjithçka tjetër. Anëtarë të tjerë të kryesisë socialiste e komentuan këtë si një frikë e kryetarit Rama dhe mbështetësve të tij për përplasjet brenda dy rrymave.

E në mungesë të transparencës, zhvillimi i punimeve të kësaj asambleje me dyer të mbyllura solli vetëm një kakofoni mesazhesh nga anëtarë të saj, që herë pas here u shfaqën në media të ndryshme, duke folur për realitete të ndryshme, në të njejtën kohë, brenda së njejtës sallë.