Drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, ka qetësuar uniformat blu të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, të cilët kanë ditë që janë hedhur në protestë për pagën e pamarrë për shtatë muaj. Drejtori i Policisë së Fierit tha dje se "uniformat blu të KPTHN-së duhet të presin afatin kohor për të zgjidhur nyjën administrative që ekziston për mosmarrjen e pagave". Por, sipas drejtorit, mësohet se duhet një vendim i ri i qeverisë për pagesën e 88 policëve të Ballshit, kontraktuar për ruajtjen e sigurisë së KPTHN-së, pronë e kompanisë "Armo" sh.a., tashmë e privatizuar. Mospagimi i policëve ka ardhur pasi vendimi i mëparshëm i qeverisë për pagat e tyre shtrinte ligjshmërinë e veprimeve procedurale deri në muajin qershor të vitit 2008. Si pasojë, tashmë duhet një tjetër vendim qeverie për të zgjidhur nyjën administrative të pagesës së këtyre uniformave. Ky ngërç që do të gjejë zgjidhje shumë shpejt, ka lindur pas privatizimit të kompanisë "Armo" sh.a.



"Pikërisht ky vendim, pohoi drejtori Shemsi Premçi, do të zgjidhë edhe problemin e krijuar për të çelur dritën jeshile fondeve nga KPTHN-ja drejt Ministrisë së Financave dhe nga kjo e fundit drejt Thesarit. Jam i bindur se brenda pak ditësh gjithçka do të gjejë zgjidhje dhe policët që kanë ruajtur KPTHN-në e Ballshit, përveç pagës që nuk kanë marrë, do të marrin edhe shpërblimin e festave të fundvitit".