Presidenti Bamir Topi ngushëlloi dje homologun turk për viktimat e përmbytjeve në Turqi. Kreu i shtetit shqiptar i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl. Në mesazhin e Presidentit Topi citohet se "mësova me keqardhje mbi dëmet e mëdha në njerëz dhe materiale gjatë përmbytjeve të fundit në Stamboll. Dëshiroj t‘ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe të popullit shqiptar për familjet e viktimave dhe të të humburve. Shpreh solidaritetin e popullit shqiptar me Ju, në këto çaste të vështira, duke shpresuar që pasojat e dëmeve do të kapërcehen në një kohë sa më të shkurtër". Mesazhi i Presidentit Topi erdhi pasi Turqia u prek nga një përmbytje masive ditët e fundit ku humbën jetën me dhjetëra persona.