Presidenti afgan, Hamid Karzai ka dënuar videon që ka tronditur ushtrinë amerikane, ku shfaqen disa marinsa duke urinuar mbi trupat e talibanëve të vrarë në Afganistan.

Talebanët gjithashtu e kanë cilësuar imazhet si “turpëruese”, edhe pse një drejtues i tyre konfirmoi se bisedimet për paqe do të vazhdojnë. Ende nuk dihet se kush e ka publikuar videon, por kjo e fundit është denuar ashpër nga amerikanët.

”Qeveria e Afganistanit është thellësisht e trazuar nga video që tregon se si ushtarët amerikanë përdhosin trupat e vrarë të tre shtetasve afganë. Ky është një akt jonjerëzor dhe i dënueshëm në mënyrën më të ashpër. Ne i kërkojmë në mënyrë ekspresive autoriteteve amerikane që të kryejnë hetimet e duhura dhe të aplikojnë dënimin më të ashpër ndaj pjestarëve të këtij akti të turpshëm”, shkruante Karzai në një komunikatë zyrtare.

Zëdhënësi i talebanëve, Qari Yousouf Ahmadi, deklaroi për “BBC” se nuk është hera e parë që amerikanët kryejnë akte të tilla “të përbindshme”. Megjithatë, ai theksoi se është në interesin e të gjithëve që bisedimet të vazhdojnë.

SHBA ka rreth 20.000 marinsa të dislokuar në Afganistan, bazuar kryesisht në provincat e Kandahar dhe Helmand. Në total, rreth 90.000 trupa amerikane janë në terren në Afganistan. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në Afganistan kanë thënë se plani për sigurinë e vendit do të përfundojë me tërheqjen e trupave luftarake në fund të 2014.