Presidenti brazilian Lula da Silva vizitoi të hënën Kili dhe i ofroi presidentes kiliane Michelle Bachelet ndihmë humantiare nga vendi i tij.

Duke folur në një konferencë për shtyp me presidentin Lula, Bachellet tha:

"Dua ti bëj thirrje gjithë popullit të Kilit të jenë të ndërgjegjshëm dhe të përmbahen nga plaçkitjet në zonat e goditura nga tërmeti. Ne duhet që të gjithë të punojmë së bashku."

Plaçkitësit bastisën ditën e hënë shumë dyqane të shkatërruara, nga tërmeti dhe tsunami që kanë vrarë deri tani më shumë se 700 persona.

Presidenti Lula ofroi të gjithë ndihmën e nevojshme për Kilin dhe shprehu gadishmërinë e vendit të tij në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

"Jam këtu për ti treguar presidentes Bachellet se Brazili është gati të japë ndihmën e tij të plotë për Kilin. Gjatë këtyre kohëve ne duhet të jemi shumë të duruar dhe të shohim se për çfarë kanë nevojë personat e prekur nga tërmeti. Ne e dimë tashmë se duhen ekipe për gjetjen e trupave nën rrënojat e tërmetit. Jemi të gatshëm të bëjmë çfarë Kili ka nevojë." tha Lula.

"Brazili do të bëjë çdo përpjekje të nevojshme që vuajtjet e kilianëve të prekur nga kjo katastrofë të jenë sa më të pakta për vëllezërit tanë", shtoi presidenti brazilian.

Në përfundim të takimit Bachelet falenderoi homlogun Lula për solidaritetin e shfaqur.