15 dhjetor 2014

Sot, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti Drejtorin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, zotin Thomas K. Yazdgerdi, me të cilin shkëmbeu opinione dhe informacione me interes për të dy vendet, por edhe në nivel rajonal e global.

Presidenti Nishani i shprehu Drejtorit të Departamentit Amerikan të Shtetit mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike shqiptare në arritjen e standardeve të nevojshme për të qenë anëtar aktiv i Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO-s. "Si President i Republikës së Shqipërisë, jam shumë krenar që vendi im dhe të gjitha institucionet e tij, janë rreshtuar pa hezitim në të gjitha aleancat e iniciuara nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizimit dhe ruajtjes së paqes e sigurisë në botë." - u shpreh Kreu i Shtetit. Në kuadrin e luftës kundër terrorizmit Kreu i shtetit theksoi se, të gjitha institucionet shqiptare, veçanërisht ato të specializuara, janë shumë të angazhuara dhe kanë një qasje shumë efiçente në përballimin e sfidave lokale dhe rajonale që burojnë nga lufta kundër terrorizmit, si dhe adresuar drejtë aspektet social-ekonomike të fenomeneve të të ashtuquajturve luftëtarë të huaj.

Presidenti Nishani evidentoi gjithashtu dhe rolin dhe kontributin e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut në rajonin e Ballkanin Perëndimor, si dhe theksoi rëndësinë e madhe që ka për konsolidimin e dialogut dhe partneritetit rajonal, vijimi i prezencës dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Vërtet kemi një rajon shumë më ndryshe dhe më bashkëpunues se më parë, por gjithashtu kemi dhe sfida të reja që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të rajonit." - u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti i Republikës ndau me Drejtorin e Departamentit Amerikan të Shtetit edhe mendime mbi zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe reformën në fushën e drejtësisë. Presidenti Nishani, shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes organizmave të tilla si USAID, OPDAT e ICITAP, kanë dhënë e po japin në këtë drejtim.