Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka përshëndetur përzgjedhjen e projektit TAP. 
“Fakti se Projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik është preferuar nga Konsorciumi i Shah Denis 2 për transportimin e gazit nga Azerbajxhani në Evropë, përbën një lajm shumë të mirë dhe të gëzueshëm pa masë për Shqipërinë, e cila bëhet pjesë e një Projekti tejet të rëndësishëm nga pikëpamja gjeostrategjike, me një efekt të madh për ekonominë dhe energjinë e rajonit dhe, veçanërisht, të vetë Shqipërisë”, shprehet Presidenti Nishani në mesazhin e tij.
Në këtë përshendetje, kreu i shtetit veçoi mirënjohje të thellë të gjithë partnerëve dhe aktorëve, të cilët mbështetën dhe lobuan në favor të Projektit TAP.
“Më duhet gjithashtu të vë në dukje dhe të përgëzoj Qeverinë Shqiptare, për çfarë ka bërë në mbështetje të këtij Projekti. Qeveria ka bërë më të mirën, duke lobuar fuqishëm në mbështetje të TAP, nëpërmjet një negocimi me profesionalizëm, duke realizuar marrëveshje me konsorciumin, partnerët dhe palët e përfshira, si dhe duke përmbushur çdo detyrim që rrjedh prej tyre. Zbatimi i Projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik do të shënojë padyshim një kthesë të rëndësishme dhe një hop cilësor në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të Shqipërisë dhe për rolin e saj në gjeopolitikën e rajonit”, përfundon deklaratën e tij Presidenti Nishani.