Bosnjë Hercegovina mbetet prapa në realizimin e përkushtimeve për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit, duke i zvogëluar gjasat e veta për anëtarësim në BE, thanë zyrtarë të BE-së dhe ligjvënës evropianë.


Gjatë debatit të sotëm në Parlamentin Evropian, deputetët u pajtuan që Bosnjë e Hercegovina nuk ka lëvizur sa duhet në luftimin e korrupsionit, në implementimin e ligjit evropian për të drejta, e as në kryerjen e reformave kushtetuese.


“Bosnjë e Hercegovina, për fat të keq, ende mbetet larg vendeve të tjera në rajon”, tha eurodeputetja gjermane, Doris Pack, nga grupi i qendrës së djathtë EPP, e cila është njëra nga legjislatorët më të njohur në çështjen e zgjerimit, raporton Rel.


Komisionari për zgjerim, Stefan Füle tha se “u takon liderëve politikë të vendit, që të ballafaqohen me sfidat me angazhim të sinqertë”. Sipas tij, procesi i integrimit të Bosnjës në BE mund të “ngrihet”.


Në mënyrë specifike, nga Bosnjë e Hercegovina kërkohet ndryshimi i kushtetutës së saj, që më mirë të mbrohen pakicat, ta zbatojë vendimin e Gjykatës Evropiane lidhur me të drejtat e barabarta të shtetasve në zgjedhje dhe për ta reformuar administratën publike./Indeksonline/