Koreografi Gjergj Prevazi u vlerësua me çmimin e parë për krijimtarinë koreografike dhe balerini Elton Çefa si interpretuesi më i mirë i festivalit mbarëkombëtar “Scampa Dance Competition”, që përfundoi mbrëmë në sallën e Teatrit “Skampa”, të qytetit të Elbasanit. Në ceremoninë e mbylljes së këtij aktiviteti gjashtëditor, juria e festivalit e përbërë nga Agron Aliaj, Abert Janku, Tomorr Kokona kërcimtar-koreograf, balerini Leonard Ajku si edhe Erisa Gina soliste në TKOB i dha çmimin e parë koreografit Gjergj Prevazi, i cili u paraqit në këtë festival me dy pjesë koreografike, “Parfumi” interpretuar nga “Albania Dance Teatër”, dhe me “Performancë” intepretuar nga trupa e Baletit Nacional të Kosovës. Çmimin e dytë për krijimtarinë koreografike e ka marrë, Artan Ibërshimi me “Paganini” dhe çmimin e tretë koreografja Elda Logu me veprën “Reflection”. Tre çmime janë shpërndarë edhe për interpretuesit më të mirë, ku çmimin e parë e ka marrë solisti i trupës “Albania Dance Teatër”, Elton Çefa, me çmimin e dytë është vlerësuar balerina Elda Logu, ndërsa me çmimin e tretë balerini Besmir Skura. Në Edicionin e parë të këtij festivali morën pjesë nëntë trupa nga Shqipëria, Kosova, Italia, Holanda, etj.