E. Senja


Ekzekutivi ka ndërmarrë një tjetër ndryshim në statusin e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol në kuadër të përgatitjes së saj për privatizim duke hequr privilegjet që aplikoheshin deri më tani për të në sistemin e taksave. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese shqyrtoi dje ndryshimet e propozuara nga qeveria për aktivitetin e kompanisë shtetërore duke e barazuar atë në taksa me kompanitë e tjera që ushtrojnë aktivitet të ngjashëm në Shqipëri.


Megjithatë, drafti detyron pronarin e ri që të njohë kontratat që Albpetrol ka lidhur gjatë periudhës që ka qenë nën administrimin e shtetit me kompani të tjera në sektorin e hidrokarbureve. Referuar marrëveshjeve koncesionare të lidhura, kompanitë private që ushtronin aktivitet në fushat naftëmbajtëse të Shqipërisë nëpërmjet marrjes së puseve të naftës me koncesion, e ndanin fitimin me shtetin gjysmë për gjysmë. Me këtë realizojmë dy gjëra: E para nuk prekim kontratat aktuale, por japim vlerë procesit të privatizimit. Shteti shqiptar padyshim që fiton dhe ky operacion që i delegohet Albpetrol përmirësohet në çmim, – tha dje gjatë parashtrimit të ndryshimeve ligjore, zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo.


Për sa i përket taksave, Albpetrol do të paguajë pas privatizimit njëlloj me kompanitë e tjera koncesionare. Në këtë mënyrë, shteti heq mundësinë e abuzimit me pozitën në treg të kompanisë shtetërore, pas marrjes në pronësi nga investitorët e rinj, për shkak se ka nën zotërim hapësira të konsiderueshme fushash naftëmbajtëse. Pas privatizimit, kompania Albpetrol do të paguajë çdo vit fiskal tatimin mbi fitimin në masën 50 %, ashtu siç parashikohet për kompanitë e tjera private që kryejnë operacione hidrokarbure në territorin e Republikës së Shqipërisë, – shpjegon METE në projektligj.


Një tjetër ndryshim për kompaninë shtetërore të naftës ka të bëjë me shfrytëzimin e nëntokës. Kompania ka pasur deri më tani të drejtën e shfrytëzimit të rezervave natyrore pa afat, ndërsa me ndryshimet ligjore te miratuara, tani do të mund ta bëjë deri në një afat 25 vjeçar. Ky kufizim vendoset nga qeveria për ta vendosur Albpetrolin e privatizuar nesër në të njëjtat kushte me kompanitë e tjera që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare. Nëse privatizohej duke i lenë të drejtën e shyfrytëzimit pa afat të fushave naftëmbajtëse, atëherë qeveria i kishte shitur përfundimisht privatizuesit edhe burimet natyrore në mënyrë të përhershme.