"…Kur ai fillon të pijë, nuk di të ndalet. Ai ishte mësuar të kontrollojë veten, por problemi është kthyer…"








Sjellja e Adrianos jashtë fushës është kthyer në fokus të klubit brazilian Flamengo. Nënkryetari i klubit, Marcos Braz, ka thënë se futbollisti ka problem me alkoolin. Por, ai ka mohuar se Adriano ka problem me përdorim të narkotikëve.



“Të themi se Adriano ka problem me drogë është absurde. Alkooli është drogë, por në këtë rast është ndryshe. Kur ai fillon të pijë, nuk di të ndalet. Ai ishte mësuar të kontrollojë veten, por problemi është kthyer”, deklaroi Braz për mediet braziliane.



Njoftimi i tij erdhi dy ditë pasi Adriani kishte një konfrontim të dhunshëm me ish të fejuarën e tij, Joana Machado. Incidenti ndodhi në praninë e anëtarëve të tjerë të ekipit të Flamengos.



Machado hodhi gurë mbi veturat e futbollistëve, ndërsa Adriano doli i zemëruar dhe e rrëzoi në tokë. Adriano ishte liruar nga detyrat e tij në ekip dhe mori pushim të përkohshëm për të zgjidhur problemet personale.



Ai nuk u paraqit në fitoren e Flamengos ndaj Resende me rezultat 4-0 të shtunën dhe nuk udhëtoi me ekipin për përballjen me ekipin nga Venezuela, Caracas, takim që zhvillohet më 10 mars për Copa Libertadores.



Sulmuesi është nën mbikëqyrje të doktorit të Flamengos, Jose Luiz Runco. Adriano pritet të kthehet në stërvitje së shpejti. Menaxheri i tij, Gilmar Rinaldi, ka siguruar se klienti i tij do të vazhdojë të luajë për Flamengon.



Adriano udhëtoi në Londër me Kombëtaren e Brazilit për fitoren 2-0 ndaj Republikës së Irlandës, në miqësoren e javës së kaluar, dhe pritet të përfshihet në ekip për Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut, që fillon më 11 qershor.



28 vjeçari u largua nga kampioni i Italisë, Inter, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte thënë se nuk ndihet i lumtur në Itali dhe dëshiron të jetë më afër familjes e miqve të tij.



Në atë kohë Adriano kishte pranuar se është duke kaluar kohë të vështirë, por mohoi se kishte problem me alkool. Pas rikthimit në Brazil dhe kalimit në Flamengo, ai udhëhoqi ekipin drejt titullit kombëtar. Por, Adriano mungoi disa herë në stërvitje për arsyeje personale, edhe pse vazhdon të jetë ylli kryesor i ekipit.