Mero-BazeNga Mero Baze


 


Në fakt Edi Rama nuk di të gëzojë kur ka të drejtë se bash në këto raste, kur ai ka shifrat në anën e tij, ai nuk harron të “përlahet” sërish me kritikët, shtypin dhe opozitën, pa qenë nevoja.


Këtë e bëri dhe sot.


Ndërsa njoftoi fundin e procesit të regjistrimeve në Universitetet private dhe publike dhe e konsideroi procesin një sukses, për sa i takon garancive që ishte proces i drejtë, që askush nuk u seleksionua nga njerëzit, por nga sistemi, dhe që gjithkush që donte arsim të lartë e mori në bazë të meritave të tij. Dhe pasi e tha këtë u hyri me libër shtëpie, shtypit dhe opozitës që nuk kishin besim.


E vërteta është se të gjithë studentët që kanë aplikuar janë sistemuar, sipas një sistemi që në provën e parë, dha garanci se funksionoi. Pati disa problemeve idiote siç është e drejta për të zgjedhur dhjetë lëndë, që lë pezull mijëra studentë për javë të tëra, apo defekte të tjera të natyrës teknike dhe mbi të gjitha mungesa e ponderimit të cilësisë së shkollave të mesme nga vijnë studentët. Fjala vjen, shkolla periferike të Jugut apo Veriut, ku cilësia e mësimdhënies është e dyshimtë, kualifikojnë nxënës të shkëlqyer që ndoshta u bien më qafë nxënësve vërtet të talentuar të kryeqytetit apo shkollave të tjera cilësore.


Por ky është një proces që mund të korrigjohet nga Agjensia e Rankimit. Parimi duket se funksionoi.


Por problemi që ka opozita me reformën arsimore, është se e kundërshtoi atë si një reformë që do linte studentët rrugëve dhe që do favorizonte biznesin privat, kurse në përfundim të tij po thotë të kundërtën.


Opozita e kundërshtoi këtë sistem, dhe u bëri thirrje nxënësve të dalin në rrugë, duke marrë disa shembuj populistë, me pretendimin se sistemi po lë nxënësit jashtë Universiteteve publike dhe po i çon me zor tek privatët.


Në fund të procesit, opozita duhet të bëjë bilancin e asaj që ka thënë në fillim. Sot në fund të procesit opozita ndryshoi akuzën dhe po akuzon qeverinë se kanë ngelur vende bosh në Universitete dhe se po ngelen disa pedagogë pa punë.


D.m.th, jo vetëm që nuk ka mbetur askush pa shkuar në shkollë por kanë mbetur dhe vende bosh. Ndërkohë që kuotat e larta për publikun dhe vendet bosh tek publiku, do të thotë që ska pasur asnjë presion, për të shkuar tek privati, derisa aty ka pasur vende bosh, për ata që e meritojnë natyrisht.


E vërteta është se dhe Rama, sikurse Berisha është i kompleksuar nga ankesa e të ngelurit pa shkollë të lartë, të çfardo nxënësi që ka qejf të shtyjë dhe nja tre vjet kot. Dhe kuotat e universiteteve janë të egzagjeruara dhe pavarësisht risisë që solli reforma, sërisht ne kemi shumë studentë. Masivizimi i arsimit të lartë, është në fakt fundi i tij, pasi humbet arsyeja përse ai është një shkallë sipërore e arsimit. Aty duhet të shkojnë më të mirët dhe natyrisht që nuk do shkojnë të gjithë . Këtu jo që kanë shkuar thuajse të gjithë, po opozita ankohet pse ka vende bosh, ndërkohë që në fillim ankohej se nuk ka vende për studentë dhe po ngelen rrugëve.


Tani ndryshimi i akuzës, nga, që po ngelen studentët rrugëve, në akuzën, që po ngelen pedagogët rrugëve, se ska më studentë, është jo vetëm jo serioze por dhe banale.


Opozita me të vetmen gjë që mund të kapet në këtë histori është vetëm tek gjuha e Edi Ramës dhe fakti që ai është më i gëzuar që ka dështuar opozita se sa që është bërë një reformë e mirë në arsim. Fiksimi i tij në fjalimet e përjavshme me gjuhën e shtypit opozitar dhe sulmet e opozitës, e bën atë shpresën e vetme të opozitës për të vazhduar të egzistojë, pasi së paku shpreson që ia ngre nervat Edi Ramës dhe duke thënë broçkulla. Si kjo kuja e sotme, që paskan ngelur auditoret bosh, pasi janë sistemuar gjithë studentët!