xhungaNga Albi Xhunga


Që një opozitë të kërkojë zgjedhje të parakohshme është mëse e natyrshme, por që zgjedhjet e parakohshme ti kërkojë një opozitë që sapo ka dalë nga një humbje turpëruese në përballjen e fundit dhe fare të freskët elektorale, kjo së paku është e çuditshme.


Pse maxhoranca me një numër dërmues kartonash do i pranojë këto zgjedhje të parakohshme të organizuara nga një qeveri teknike, kur e njëjta opozitë që dje ishte në pushtet për të mos e ofruar këtë opsion bleu tre deputetë të majtë? E vetmja logjikë që justifikon kërkesat dhe veprimet e dhunshme të opozitës është afrimi i partisë dhe militantëve pranë kryetarit (ende të pakonfirmuar) Basha.


Lidershipi i PD nuk është aq naiv sa të besonte se me këtë protestë do të arrinte ndonjë përfitim politik. Dënimi i dhunës nga Bashkimi Europian dhe SHBA ishte mëse i parashikueshëm. Gjithashtu nuk janë aq naivë sa të besojnë se kjo është mënyra e duhur për të ndryshuar statu quo-në dëshpëruese elektorale të PD-së, duke qëne se nuk janë në gjendje tu ofrojnë shqiptarëve veçse të njëjtat futura që gllabëruan 240 milionë euro nga rruga e kombit, që vranë katër protestues të pafajshëm në një protestë të njëjtë me këtë, apo që shpërthuen korrupsionin kriminal të Gerdecit.


Mirëpo zërat kundra kryetarit Basha po shtohen. Pas Mesila Dodës edhe Eduard Selami kritikoi hapur Lulëzim Bashën duke i sugjeruar të dëgjojë kritikat brenda partisë. Dhe ky është problemi i vërtetë, kritikat. Nëse dikush flet hapur kundra liderit të ri, mund të përjashtohet.


Por nëse këta bëhen shumë, atëherë kemi një problem, sepse kontestimi ndaj Lulëzim Bashës është kontestim direkt ndaj atij që vazhdon ta mbajë peng PD-në që prej 25 vjetësh, Sali Berishës. PD-ja nuk është një parti ku zërat kundra lidershipit janë një normalitet, ndaj për ti shmangur dhe larguar vëmendjen prodhohen veprime e qëndrime absurde e të dështuara që në gjenezë.


Demokratët në të gjitha nivelet sot po kuptojnë se arma më e fortë e kësaj maxhorance është dyshja Berisha-Basha. Është gjëja më e lehtë sot ti bësh opozitë qeverisë Rama, e cila përveç disa reformave shpesh të tepruara e të pa mirëmenduara, po zhytet në po atë llum korrupsioni me konçensionet kombëtare e ironikisht me po ata klientë të qeverisë së djeshme. Pra argumenta për tu kërkuar shqiptarëve largimin e kësaj qeverie ka plot. Problemi është se me cilat figura iu thua se do ta ndryshosh këtë situatë? Me Berishën dhe Bashën?


Përgjigjen për këtë e dhanë zgjedhjet lokale. Në çdo vend të botës në zgjedhjet lokale është e avantazhuar opozita. Kjo për faktin e thjeshtë se qeverisë i duhet që pas dy vjetësh të përballë premtimet më realitetin. Por PD-ja nuk mundi të përfitonte për shkak të uzurpimit të saj nga po ata njerëz që i sollën rrënimin e 23 qershorit. Ndaj rruga e PD-së drejt pushtetit kalon nga rimarrja e partisë nga duart e uzurpatorëve.


Shqiptarët meritojnë një alternativë dhe këtë alternativë nuk mund ta gjejnë kërkund më mirë se në atë parti që 25 vjet më parë ringjalli shpresën në këtë vend. Por së pari duhen sikterisur kuçedrat që kanë uzurpuar këtë parti dhe e përdorin si mburojë për të shmangur ndëshkimin për krimet që i kanë shkaktuar këtij vendi.