Nga Eduard Zaloshnja


 


Në qoftë se 140 mandatet e Kuvendit do të përcaktoheshin vetëm nga votat e 8 qarqeve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, koalicioni i udhëhequr nga Rama do të kishte siguruar 71 mandate në zgjedhjet e 2009-ës, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Berisha do të kishte marrë vetëm 64 mandate. Por kjo epërsi e ndjeshme e koalicionit Rama në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut u eklipsua plotësisht në 4 qarqet veriorë koalicioni Berisha siguroi 70 mandate me ndihmën e votave të këtyre qarqeve, ndërkohë që koalicioni Rama mbeti në kuotën 66.


Këto shifra tregojnë qartazi se strategjia e Ramës për fitimin e zgjedhjeve të 2009-ës dështoi në 4 qarqet veriorë. Se çpjesë e strategjisë së tij nuk funksionoi në veri ndoshta nuk do ta mësojmë dot kurrë, por gjasat janë se ajo çaloi jo vetëm në drejtim të mbrojtjes së votës, por edhe në drejtim të marrjes së saj.


Kështu, është e vërtetë se rezultatet 300 me 0 në disa qendra votimi të Shkodrës ishin një indicie e qartë se procesi i votimit ishte manipuluar në atë qark, por sidoqoftë, është vështirë të mendosh se manipulimet i kanë gëlltitur më shumë se një mandat PS-së. Në Shkodër, edhe sikur të quheshin të pavlefshme 10,400 vota të PD-së, shpërndarja e mandateve nuk do të ndryshonte në atë qark. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qarqet e Lezhës, Dibrës, dhe Kukësit ku, edhe sikur të quheshin të pavlefshme respektivisht 14,550, 10,150, dhe 7,900 vota të PD-së, shpërndarja e mandateve nuk do të ndryshonte në ato qarqe.


Në fakt, e majta e ka pasur ndër vite një problem verior. Kështu, nga një studim që kam kryer në prill të 2008-ës, më rezultonte se vetëm 27% e të anketuarve që kishin marrë pjesë në zgjedhje ishin votues të rregullt të së majtës në 4 qarqet veriorë, ndërkohë që për të djathtën kishin votuar rregullisht 57% e tyre. Dhe rezultatet e 2009-ës treguan se e majta (koalicioni Rama + koalicioni Meta) u ngrit ndjeshëm mbi kuotën e votuesve të rregullt të saj – arriti kuotën 38% – por sidoqoftë mbeti shumë më prapa se e djathta (koalicioni Berisha + Poli i Lirisë), e cila kapi kuotën 62%.


Duke pasur parasysh se Meta tani është në koalicion me Berishën, problemi verior i PS-së bëhet edhe më i mprehtë. Kjo, sepse 4 përqindëshi që mori partia e Metës në qarqet veriore nuk ka gjasa të rrudhet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme. Përkrahësit veriorë të Metës mund të mos jenë aq të lidhur tradicionalisht me të majtën, siç janë ata jugorë. Si rezultat, për arsye pragmatiste, ata mund ta aprovojnë martesën e Metës me Berishën edhe për një mandat të dytë qeverisës.


Në këto kushte, Ramës i mbetet të mendojë për një strategji më të mençur në veri. Është e vërtetë se ai rezultoi udhëheqësi më i suksesshëm i PS-së në elektoratin verior, por gjithashtu rezultoi se suksesi i tij nuk ishte i mjaftueshëm për ti dhënë një mandat qeverisës.


Rama e bazoi fushatën e tij në veri kryesisht tek simpatia që elektorati i lëkundur presupozohej të kishte për të si një figurë që ishte shfaqur fillimisht në skenën publike si një antikomunist i zjarrtë – fjalimet gjatë fushatës elektorale në Shkodër e gjetkë ishin një ilustrim i qartë i kësaj strategjie. Dhe fakti që koalicioni i tij, edhe në kushtet e manipulimeve të mundshme, siguroi 34% të votave në 4 qarqet veriore (pra, 7% më shumë se niveli i votuesve të rregullt të gjithë së majtës të marrë së bashku), tregon se të lëkundurit kanë shkuar në masë drejt koalicionit të tij. Por që rezultatet në të ardhmen të jenë më të larta, duhet që të lëkundurit të konsolidohen rreth PS-së, ndërkohë që komisionerët ti ketë më besnikë ndaj saj.


Që ky objektiv të realizohet, nuk mjafton vetëm të luhet karta e vjetër e antikomunizmit të Ramës. Ndoshta promovimi i figurave veriore në PS mund të krijojë shtratin e nevojshëm për një punë më kapilare të saj në qarqet e veriut. Marrja dhe ruajtja e votës në veri, si dhe në lagjet me popullsi veriore të krijuara në Shqipërinë e Mesme pas vitit 1990, kërkon një strategji më të thjeshtë, të bazuar kryesisht në lidhje krahinore e fisnore. Një strategji kjo e aplikuar me shumë sukses deri më sot nga Berisha.


Dhe meqë ra fjala për Berishën, vlen të theksohet se ai e kuptoi mirë se sa e dëmshme ishte përçarja e votës së djathtë në vitin 2001. Si rezultat, ai e ribashkoi të djathtën në përmasat më të mëdha të mundshme në vitin 2005, e sidomos në 2009-ën. Përballë një Berishe të tillë, të përforcuar së fundmi edhe me Metën, Rama nuk do të ketë luksin të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me një të majtë të përçarë. Dhe kjo svlen vetëm për veriun…