Për të marrë lejen e importit, kompanitë kosovare duhet të presin dhjetë ditë për përfundimin e të gjitha procedurave të nevojshme. Ekspertët thonë se Qeveria në planin e zhvillimit ekonomik, duhet të parashohë reforma në këtë drejtim.


Nga Albulena Maloku më 24 prill 2011 në ora 10:52

Për t’u pajisur me leje importi, kompanitë kosovare duhet të presin dhjetë ditë për të përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme. Për rastet më urgjente, kjo mund të bëhet edhe brenda pesë ditëve. Kompanitë duhet të pajisen me dokumente të shumta, në rast se ato dëshirojnë të pajisen me këtë leje. Ekspertët vlerësojnë se tani Qeveria me planin e zhvillimit ekonomik, duhet të parashohë reforma për bizneset në këtë drejtim. Në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, duhet të kryhen disa procedura për të marrë lejen për import. Po ashtu, bizneset për këtë leje, duhet të marrin certifikata edhe në Doganën e Kosovës. Shaqir Rexhepi, nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, thotë se për të përfunduar të gjitha procedurat që nga dita e aplikimit, nevojiten dhjetë ditë, por ka raste urgjente kur këto kryhen brenda 3 –5 ditësh. Ai tregon se certifikata e biznesit, certifikata e TVSH’së, certifikata doganore që ka të drejtë importi, leja e punës nga Kuvendi Komunal për të gjitha ato komani që aplikojnë për herë të parë, fatura e produktit, certifikata fitosanitare, e cila kërkohet kur ka të bëjë me import të bimëve të gjalla dhe pjesë të bimëve, pastaj nëse është produkt i gatshëm ushqimor, kërkohet certifikata e kualitetit, certifikata veterinare mbi gjendjen shëndetësore kur bëhet fjalë për produktet me origjine shtazore dhe certifikata e origjinës. “Të gjitha këto janë dokumentet të cilat janë të domosdoshme për marrjen e lejes për import”, thotë Shaqiri. Përfundimi i të gjitha këtyre procedurave, sipas tij, zgjat dhjetë ditë nga dita e aplikimit, e në raste të veçanta, urgjente, procedurat për licencim kryhen brenda 3-5 ditëve. Për të gjitha këto ai thotë se kompanitë duhet të paguajnë një shumë parash, nëse duan që të pajisen me leje. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci tha se në këtë institucion bëhet regjistrimi dhe lëshimi i certifikatave për import dhe eksport. “Zakonisht kompanitë që i plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore nuk presin gjatë, sepse të gjitha certifikatat procesohen brenda një dite pune, në qoftë se ato e plotësojnë dokumentacionin e lartpërmendur”, tha zëdhënësi Stavileci. Eksperti i ekonomisë, Nagip Skënderi, tha për “Express”, se pajisja me leje importi dhe eksporti është një nga problemet kyçe në të cilat hasin telashe bizneset. “Procedurat administrative janë tepër të vështira dhe për këtë edhe investitori dhe bizneset e ndryshme gjejnë tregje të tjera e nuk vijnë në Kosovë”, thotë Skënderi. Ai thotë se Qeveria tani në planin e zhvillimit ekonomik, duhet t’i thjeshtësojë këto procedura, që sipas tij, me këtë ndryshim bizneset të kenë mundësinë e pajisjes me këtë leje për një vit. “Procedurat administrative natyrshëm sjellin vonesa, pasi janë të gjata dhe kjo edhe kompanive mund t’ju sjellë telashe gjatë tregtimit”, tha Skënderi. Në vendet e rajonit, ai tregon se këto procedura janë shumë më të avancuara.